Arbnor Morina analizon kampionatin e Kosovës në emisionin 90Plus (VIDEO)

Sport November 05, 2018 - 18:57
Detajet

Arbnor Morina ishte mysafir i emisionit 90Plus në Radio Prishtina dhe Zëri TV, ku e ka analizuar kampionatin e deritashëm të Kosovës.

Drejtori sportiv i FC Prishtina thotë se kampionati është i gjatë dhe se është herët të flitet rreth favoritëve për ta fituar titullin.

“Kampionati është mjaft i gjatë. Nuk mund të jesh i pari qysh në fillim. Në fund del veç një kampion. Ambiciet i kanë proklamuar krejt ekipet, varet nga stafi, organizimi, stabiliteti financiar etj. Ne e kemi treguar se jemi stabil dhe po vazhdojmë me këtë ritëm. Në Skenderaj ka qenë një lojë korrekte, e fortë, me dyluftime. Ne e shfrytëzuam rastin që ka qenë në fund të lojës dhe i morëm tri pikët për të cilat shkuam në Drenicë”, ka thënë fillimisht Morina.

“Feronikeli një ekip stabil, qe 2-3 vjet me fond afërsisht të njëjtë të lojtarëve. Një ekip i mirë, i kompletuar. Edhe Drita pjesën dërrmuese të ekipit e ka nga sezoni i kaluar. Trepçës ’89 nuk i kanë shkuar gjërat siç i ka parapa. I nevojitet edhe pak kohë për t’u stabilizuar. 89-shi si shkollë e futbollit e ka karakteristikë me pasime të shkurta. Liria është ekip i madh dhe me traditë dhe besoj se do të këndellet. Është një ligë e fortë, e egër. Rezultatet janë shumë të ngushta dhe kjo e demonstron baraspeshën që e kanë ekipet”, ka përfunduar Morina në emisionin 90Plus. /Zëri/