'Oksigjeni' i Liverpoolit

Sport October 31, 2018 - 15:01

Xherdan Shaqiri mund ta japë një kontribut të madh te Liverpoolit këtë sezon, shkruan sot gazeta Zëri.

Legjenda e “Reds”-it, John Aldridge, mendon se futbollisti shqiptar është përforcimi më i madh i klubit nga “Anfield Road” i kësaj vere.

Sipas tij, 27-vjeçari mund ta ndihmojë ekipin e tij me gola dhe me asistime në arritjen e objektivave

Xherdan Shaqiri mund të jetë lojtar mjaft i rëndësishëm për Liverpoolin këtë sezon.

Kjo është pikëpamja e legjendës së “Reds”-it, John Aldridge, i cili thotë se futbollisti kosovar është përforcimi më i mirë i Jurgen Kloppit gjatë verës që shkoi.

Shaqiri e shijoi golin e parë për klubin e ri në fitoren 4:1 ndaj Cardiff Cityt fundjavën që shkoi dhe ka qenë i dobishëm edhe për asistime ndaj bashkëlojtarëve.

Edhe pse shpesh ka përfunduar në bankinë këtë fillim edicioni futbollisti nga Zhegra e Gjilanit e ka dhënë kontributin e tij kur i është dhënë rasti.

Duke e pasur parasysh se i ka përpara tre futbollistë të mëdhenj si Mohamed Salah, Sadio Mane e Roberto Firmino, Shaqiri synon të zërë vend në ndonjë pozitë tjetër në 11-shen e parë të trajnerit Jurgen Klopp.

Përfaqësuesi zviceran i është bashkuar “Reds”-it nga Stoke City gjatë verës që shkoi për afro 15 milionë euro pasi “Potters” ranë nga Premierliga.

Aldridge beson se Klopp e ka bërë një punë të mirë që e solli Shaqirin në “Anfield Road” dhe se natyrisht që transferimi i tij mund të jetë një avantazh për ekipin këtë edicion.

“Kur Shaqiri u fut në lojë ndaj Cardiff Cityt e ndryshoi lojën dhe u bëmë të paparashikueshëm”, deklaroi ai për “Liverpool Echo”.

“Ata (Cardiffi) ishin mbyllur dhe na kishin bllokuar para se Xherdani të futej në lojë dhe më pas, me aftësitë, eksperiencën, lëvizjet dhe pasimet e shkëlqyeshme ndryshoi gjithçka”, nënvizoi ai.

“Dhe çfarë goli shënoi se. Futbollisti zviceran e ka vendosur veten në një pozitë mjaft të mirë në ndeshjet e fundit. Ai ka qenë absolutisht i shkëlqyeshëm”, ka shtuar ai.

“Mendoj se Shaqiri me 15 milionë euro është transferimi më i mirë që e ka bërë Klopp gjatë verës. Jurgen duket se e ka gjetur rolin ideal për lojtarin për ta lidhur mesfushën me sulm. Kjo është ajo që Alex Oxlade-Chamberlain po e bënte në mënyre brilante para lëndimit të tij. Shaqiri mund të jetë një lojtar mjaft i rëndësishëm dhe masiv për ne këtë sezon dhe kualiteti i tij është i lartë, siç po shihet”, ka përfunduar Aldridge.

“Reds” mbeten të pamposhtur në Premierligë dhe prijnë në tabelën e Premierligës.

Liverpooli këtë sezon ka ekip të bollshëm për ta përballuar orarin e ngjeshur.

Me lojtarë si Shaqiri në dispozicion, i cili mund t’i ndryshojë gjërat, tifozët presin gjëra të mëdha nga 27-vjeçari. /Zëri/