Tjetër hap drejt Olimpiadës!

Sport October 31, 2018 - 14:53
Image

Xhudoja kosovare pritet ta thotë fjalën kryesore edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, shkruan sot gazeta Zëri.

Ky sport luftarak vazhdon ta bëjë krenare Kosovën me sukseset e jashtëzakonshme që po i arrin në arenën ndërkombëtare.

Fundjavën që shkoi, në evenimentin e rëndësishëm të xhudos “Abu Dhabi Grand Slam”, xhudistët kosovarë arritën t’i fitojnë katër medalje, prej tyre tri të argjendta dhe një të artë.

Me të artën u flakërua Nora Gjakova, kurse të argjendtë ishin Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Akil Gjakova.

Medaljet u sjellin pikë olimpike

Suksesit në “Abu Dhabi” ia panë hairin garuesit kosovarë, të cilët e kanë filluar rrugëtimin drejt grumbullimit të sa më shumë pikëve për ta fituar normën olimpike.

Në Olimpiadën e kaluar, normë kishin Majlinda dhe Nora, por edhe Distria, e cila megjithatë nuk mundi të merrte pjesë për shkak se garonte në të njëjtën kategori me Kelmendin.

Kthehemi të gara e fundit. Medalja e artë Norës ia siguroi 1000 pikë olimpike, ndërsa medalja e argjendtë ua shtoi në kontot e tyre nga 700 pikë olimpike Majlindës, Distrisë dhe Akilit.

Rikthimi i madh i Majlindës

Përpos medaljeve dhe pikëve olimpike, xhudoja kosovare dhe sporti në përgjithësi e mori një lajm të mirë.

Majlinda Kelmendi u është kthyer garave zyrtare pas një kohe të gjatë mungese për shkak të lëndimeve.

Dhe kampionia olimpike e tregoi menjëherë forcën e saj duke e fituar medaljen e argjendtë në “Abu Dhabi”, derisa të artën ia mohoi lëndimi në hundë që e pësoi në çerekfinale, pasi në finale pati gjakderdhje dhe u detyrua ta linte garën.

Kuka: Ekipin e ëndrrave e kemi krijuar

Trajneri Driton Kuka ndihet krenar me sukseset që po ia sjellin garuesit e tij pasi ky është një rezultat i punës së palodhshme që po e bën ai me ta.

Trajneri i suksesshëm beson se tashmë e ka në dispozicion ekipin ideal, i cili do të marrë pjesë në “Olimpiadën 2020”.

Madje ai beson se xhudoja do të prijë përsëri karshi sporteve tjera sa u përket normave olimpike.

“Është hera e parë që Kosova i fiton katër medalje në ‘Abu Dhabi Grand Slam’. Ekipin e ëndrrave e kemi krijuar. Do t’i kemi 4-5 norma olimpike në ‘Tokio 2020’”, ka thënë trajneri Kuka.

Numërimi i pikëve për normë olimpike ka nisur këtë vit dhe xhudistët zotohen se do të mundohen të grumbullojnë sa më shumë pikë, në mënyrë që ta sigurojnë direkt kualifikimin në olimpiadën e ardhshme, ndërsa Kosova dihet që merr pjesë në këtë eveniment me më shumë garues që marrin ftesa sesa që kanë normë olimpike.

Përpos xhudos shpresa për ta fituar normën olimpike kanë edhe karateja dhe boksi, edhe pse garuesit e këtyre sporteve nuk do ta kenë aspak të lehtë të arrijnë një gjë të tillë. /Zëri/