E lajnë Kosovën me ar e argjend

Sport October 29, 2018 - 10:37
Image

Xhudoja po e lan Kosovën me ar e argjend. Ky sport luftarak ia ka sjellë vendit tonë katër medalje nga “Grand Slam Abu Dhabi”. Nora Gjakova e fitoi medaljen e artë, kurse Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Akil Gjakova të argjendtën. Përpos medaljeve, ata fituan edhe pikë të theksueshme për normë olimpike. Trajneri Driton Kuka ndihet krenar me sukseset e garuesve të tij. Kosova i fitoi për herë të parë në histori katër medalje në një eveniment aq të rëndësishëm të xhudos

Xhudoja vazhdon ta mbajë stafetën sa u përket sporteve më të suksesshme në Kosovë, shkruan sot gazeta Zëri.

Ky sport luftarak e ka konfirmuar primatin në këtë aspekt edhe fundjavën që shkoi, pasi ia solli vendit tonë katër medalje nga “Grand Slam Abu Dhabi”, një eveniment ky shumë i rëndësishëm i xhudos.

Xhudistët e kanë larë edhe një herë Kosovën me ar dhe argjend, siç kanë ditur ta bënin edhe në të kaluarën. Gjithsesi, kjo është hera e parë në histori që Kosova i fiton katër medalje në Abu Dhabi.

Nora, e arta e Kosovës

Nora Gjakova është garuesja e vetme që e fitoi medaljen e artë në Abu Dhabi. Nora e kaloi rrethin e parë pa luftë në kategorinë 57 kilogramë, ndërsa në atë të dytë ishte më e mirë se rumunia Loredana Ohai.

Në të tretën Gjakova e mposhti francezen Priscilla Gneto. Në gjysmëfinale Gjakova ia doli ta mposhtë Chen-Ling Lien nga Tajpei Kinez. Kurse në finale xhudistja kosovare ishte më e mirë se rusja Anastasiia Konkina, për t’u flakëruar në fund me ar.

Image

“Është një ndjenjë e mrekullueshme. Isha duke harruar se si është të jesh në podium, sepse në dy kompeticionet e fundit humba më herët, sidomos në Kampionat Botëror, ku për mua ishte një rezultat zhgënjyes. Dhe, të kthehesha nga ai rezultat zhgënjyes për mua është mjaft mirë. Është medalja e parë e artë në një ‘Grand Slam’ për mua dhe natyrisht se jam mjaft e lumtur”, është shprehur Nora Gjakova.

Majlindës ia mohon lëndimi të artën

Majlinda Kelmendi është rikthyer furishëm pas një mungese të gjatë.

Xhudistja më e mirë e vendit e ka fituar medaljen e argjendtë në Abu Dhabi, por ka mundur ta fitonte edhe të artën, sikur të mos lëndohej.

Kelmendi e mundi në rrethin e parë rusen Yulia Kazarina në kategorinë 52 kilogramë, kurse në atë të dytë ishte më e mirë se polakja Karolina Pienkowska.

Image

Ndërkaq në rrethin e tretë e mundi izraeliten Gili Cohen, ku edhe pësoi lëndim.

Majlinda ishte më e mirë se britanikja Chelsie Giles në gjysmëfinale, kurse në finale për shkak të gjakderdhjes në hundë u detyrua të tërhiqej ndaj italianeve Odette Giuffrida për t’u kënaqur në fund me medalje të argjendtë.

Distria, e argjendtë

Distria Krasniqi po ashtu e ka fituar medaljen e argjendtë në këtë kompeticion.

Ajo e mposhti në rrethin e parë ukrainasen Maryna Cherniak në kategorinë 48 kilogramë, kurse në të dytin ishte më e mirë se sllovenia Marusa Strangar.

Image

E në rrethin e tretë Distria e rrahu edhe kinezen Yanan Li.

Krasniqi shkëlqeu edhe në gjysmëfinale, ku e mundi argjentinasen Paula Pareto, derisa u dorëzua në finale përballë mongolezes Urantsetseg Munkhbat.

Edhe Akili flakërohet me argjend

Akil Gjakova e ka kompletuar suksesin e Kosovës në Abu Dhabi.

Xhudisti pejan e ka fituar medaljen e argjendtë të dielën.

Akili e kaloi rrethin e parë në kategorinë 73 kilogramë pa luftë, kurse në atë të dytë e mposhti Mirzojamil Ramazonovin e Taxhikistanit.

Image

Ndërkaq në rrethin e tretë ishte më i mirë se gjermani Igor Wandtke.

Në gjysmëfinale Gjakova e mundi rusin Musa Mogushkov, ndërsa humbi në finale për medalje të artë nga gjeorgjiani Lasha Shavdatuashvili.

Kuka në qiellin e shtatë

Trajneri Driton Kuka e sheh veten në qiellin e shtatë pas suksesit të jashtëzakonshëm të garuesve të tij në Abu Dhabi.

Një sukses i tillë në këtë eveniment të rëndësishëm nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Tri medalje: një e artë e dy të argjendta. Nora sot ishte e paparë. Majlinda u rikthye fuqishëm, u lëndua në luftën çerekfinale dhe në finale gjakderdhja e tepërt e detyroi mjekun ta ndërpresë luftën, vendim të cilin e përkraha edhe unë. Lëndimi s’është serioz, përveç gjakderdhjes që s’lejoi të vazhdohet finalja. Distria sot ishte si në ditët e saja më të mira. Hera e parë që Kosova nga një ‘Grand Slam’ fiton tri medalje. Nora fitoi 1000 pikë olimpike, kurse Majlinda e Distria nga 700 pikë”, ka shkruar Kuka të shtunën në rrjetet sociale. “Akili, finalist i ‘Abu Dhabi Grand Slam’. Posa doli nga lufta e fortë dhe burrërore. E argjendtë me shkëlqim të artë medalja e Akilit. Medalja e katërt e Kosovës. Akil Gjakova fiton 700 pikë olimpike. Lufta finale ishte repriza e ‘Grand Slamit’ në Paris, atje fitoi Akili e tash garuesi gjeorgjian, përndryshe kampion olimpik. Ekipin e ëndrrave e kemi krijuar, do t’i kemi 4-5 norma olimpike në ‘Tokio 2020’”, ka përfunduar Kuka të dielën. /Zëri/

Image