Shaqiri s’ka frikë në Beograd

Sport October 25, 2018 - 18:01

Xherdan Shaqiri do të jetë në qendër të vëmendjes në ndeshjen e kthimit të Liverpoolit ndaj Crvena Zvezdës në Beograd në Ligën e Kampionëve javën e ardhshme, mirëpo futbollisti kosovar thotë se nuk ka frikë e as nuk po mendon shumë për pritjen që mund t’ia servojnë tifozët serbë, shkruan Zeri.info.

“Nuk kam frikë. Unë i kam parë disa artikuj në lidhje me këtë temë. Një lojtar ka thënë diçka në lidhje me këtë, por më të vërtetë mua nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit. Më ka ndodhur edhe në Kupën e Botës të më fishkëllenin, por nuk paraqet asnjë problem. Unë po shkoj atje për të luajtur futboll dhe nuk ka të bëjë fare me politikën. Asgjë tjetër nuk më intereson, unë po shkoj atje për ndeshje futbolli”, ka thënë Shaqiri. /Zëri/