10 zëvendësuesit e mundshëm të Lopeteguit te Real Madridi

Sport October 23, 2018 - 15:07
Detajet

Real Madridi është duke kaluar nëpër një formë katastrofale së fundmi dhe kjo ka bërë që e ardhmja e trajnerit Julen Lopetegui të vihet në dyshim. Madrilenët nuk njohin fitore që prej 22 shtatorit, derisa gjatë kësaj kohe kanë humbur katër takime dhe e kanë barazuar një. Tashmë kanë filluar zërat për zëvendësuesin e mundshëm të spanjollit, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Julen Lopetegui raportohet të jetë shumë afër shkarkimit nga posti i trajnerit të Real Madridit. Por, kush mund të jetë zëvendësuesi i tij në “Santiago Bernabeu”? “Goal.com” sjell dhjetë opsionet e gjigandit spanjoll:  

Antonio Conte

Momentalisht emri më i madh i papunë, Antonio Conte do të ishte zgjedhja me e kuptueshme e Real Madridit. Conte ka pushtuar ligën italiane dhe atë angleze duke fituar tituj me Juventusin dhe me Chelsean. Formacioni i tij i preferuar 3-4-3 mund t’i përshtatet madrilenëve me anësore si Marcelo, Dani Carvajal e Alvaro Odrizola, e gjithashtu me aq opsione në sulm. Sidoqoftë, edhe pse Conte është i lirë pas largimit nga Chelsea, është e paqartë nëse ai do të jetë i gatshëm për të marrë një punë të re pasi që momentalisht është në një betejë ligjore me ish-punëdhënësin e tij. Ai gjithashtu ka shprehur preferencën e tij për një rikthim në Itali.

Santiago Solari

Nëse Real Madridi është duke kërkuar përmirësimin me sistemin momental, ish-reprezentuesi argjentinas dhe ish-ylli i “Los Blancos”, Santiago Scolari do të ishte zgjedhja logjike. 42-vjeçari ka qenë trajner i frytshëm i ekipi Castilla që prej vitit 2016, me skuadrën që momentalisht zë pozitën e dytë në grupin B të Segunda Division. Sikur Solari, Zinedine Zidane kishte përvojë si trajner vetëm me ekipin B të madrilenëve, por kjo nuk e ndaloi francezin që të fitojë tri medalje të Ligës së Kampionëve në punën e tij.

Fernando Hierro

Legjendë e Real Madridit dhe një ish-ndihmës trajner në klub, Fernando Hierro jeton dhe frymon me Realin dhe ai menjëherë do të bëhej i preferuari i tifozëve në kryeqytetin spanjoll. Hierro mori drejtimin e Spanjës në Botërorin e vitit 2018, por me vetëm pak ditë pune me skuadrën para se të fillonte kompeticioni, derisa u eliminua nga “Rusia 2018” nga rundi i dytë. Spanjolli është lidhur me Real Madridin në të kaluarën, por tani mund të jetë koha e duhur që Florentino Perez t’ia dorëzojë detyrën. A mund ta zëvendësojë Hierro Lopeteguin për herë të dytë këtë vit?

Joachim Low

Joachim Low ka qenë gjithmonë një emër që është përmendur kurdo që pozicioni te Reali ka qenë i lirë dhe kurrë nuk është dukur se do të ndodhë. Low kaloi një Botëror katastrofal me Gjermaninë, derisa u eliminua qysh në fazën e grupeve. Kjo formë e dobët ka vazhduar edhe në Ligën e Kombeve, duke pësuar dy humbje radhazi me Holandën dhe me Francën. Pas 12 vjetëve në këtë pozitë, ai është në rrezik të shkarkimit. Tani mund të jetë koha e duhur që ai të bëjë një hap para nëse thërret Real Madridi. Trajneri ka treguar kohë pas kohe se ai është në gjendje të nxjerrë më të mirën nga Toni Kroos, kështu që bashkimi i tij me të në “Santiago Bernabeu” do të ishte në dobi të të dyja palëve. Një fitues i Botërorit, Low është njëri prej emrave më të mëdhenj që madrilenët mund të sjellin, por ai është paksa i paprovuar në nivelin e klubeve.

Arsene Wenger

Ish-trajneri i Real Madridit ka treguar disa herë për refuzimin e tij ndaj klubeve më të mëdha në mënyrë që t’i qëndrojë besnik “Topçinjve”. Francezi tashmë është i lirë për të zgjedhur dhe Reali Madridi sigurisht se do të zgjonte interesimin e tij, derisa ai kishte përkrahur “epokën e artë” të tyre në vitet e ’50-a si fëmijë. Liga e Kampionëve është titulli i vetëm që i mungon Wengerit, një arsye tjetër pse ai mund të jetë i interesuar pas tri triumfeve radhazi të madrilenëve në garën më prestigjioze evropiane për klube. Por, mosha e Wengerit dhe ecuria e dobët në fund me Arsenalit mund të jetë një lloj pengese. Tashmë 68-vjeçar, Wenger mund të mos jetë një opsion i duhur për Real Madridin nëse ata duan të shohin zhvillimin e lojtarëve të gjeneratës së ardhshme.

Ralph Hasenhuttl

Ralph Hasenhuttl bëri një punë fantastike te Leipzigu dhe mund të jetë një kandidat i madh për të marrë drejtimin e Real Madridit, ku do të mundë të sillte edhe ish-yllin e skuadrës së tij, Timo Werner. Austriaku e mbylli në vendin e dytë edicionin e parë të tij në Bundesligë me Leipzigun, ndërsa përfundoi në vendin e gjashtë në edicionin tjetër. Hasenhuttl ende nuk është provuar me një klub të madh, por ai ka treguar se ka aftësi për të blerë lojtarë në treg, si rasti i Naby Keitas ose i Wernerit. Me buxhetin që do të kishte në Madrid ai do të mundë të krijonte një skuadër të jashtëzakonshme.

Mauricio Pochettino

Mauricio Pochettino ka qenë vazhdimisht i lidhur me klubet më të mëdha në botë pas edicioneve të tij të fundit me Tottenhamin. Argjentinasi e ka transformuar klubin londinez në njërën prej skuadrave më atraktive në Angli, me një buxhet të kufizuar. Mungesa e investime te Tottenhami sigurisht që do ta irritojë argjentinasin dhe në Madrid ai do të kishte shifra të mëdha për të shpenzuar. Lëvizja e duhur sigurisht që do të ishte transferimi i yllit anglez Harry Kane. Reali ka vuajtur që ta zëvendësojë Cristiano Ronaldon dhe nëse Pochettino arrin, ky do të ishte një stimulim për fituesin e “Këpucës së Artë” të Botërorit që të largohej nga Totenhami. Ai asnjëherë nuk e ka fshehur që do të donte ta merrte drejtimin e gjigandit spanjoll. “Kur Real Madridi të thërret, ju duhet të dëgjoni”, kishte deklaruar ai.

Guti

Emërimi i Gutit si trajner do të ishte një rrezik i madh, por gjithashtu edhe mund të jetë edhe i qëlluar. Zinedine Zidane ishte gjithashtu trajner brenda sistemit të madrilenëve para se të marrë drejtimin e ekipit të parë dhe Guti ka përvojë të mjaftueshme në këtë fushë. 41-vjeçari ka stërvitur skuadra të të rinjve për katër vjet para se të bëhet ndihmëstrajner te Besiktasi këtë vit. Guti e menaxhoi ekipin e të rinjve Juvenil A të Real Madridit për dy vjet, ku ishte mjaft i suksesshëm, duke fituar gjithçka në Spanjë në sezonin e parë. Sikur Fernando Hierro, Guti është një legjendë e Real Madridit, që do të thoshte shumë në aspektin e respektit të tifozëve dhe të lojtarëve.

Mikel Arteta

Mikel Arteta ishte shumë afër që të bëhej trajner i Arsenalit gjatë verës dhe një rikthim në vendlindje mund të vijë së shpejti. Arteta ka kaluar vitet e fundit duke mësuar nga Pep Guardiola te Manchester City dhe nëse ai ka marrë ndonjë gjë nga ai, atëherë mund të bëhet trajner i mirë ndonjë ditë. Një lëvizje drejt Real Madridit do të ishte e madhe për të, por klubi madrilen ka një histori të emërimeve të trajnerëve pa përvojë si Zidane. Si student i Pep Guardiolas, Arteta do të dëshironte të bënte një stil sulmues të bazuar në posedim të topit, gjë që do t’i kënaqte tifozët kërkues të Realit. Sidoqoftë, një e metë mund të ishte historia e Artetas si lojtar me Barcelonën.

Leonardo Jardim

Është e vështirë që një trajner të shkarkohet dhe më pas të shkojë në një punë edhe më të mirë, por kjo mund të ndodhë me Leonardo Jardimin. Portugezi ishte shkarkuar nga Monaco pas një fillimi të dobët të edicionit, por arritjet e tij me klubin francez nuk mund të harrohen. Ai ka fituar titullin e ligës në edicionin 2016-2017, ndërsa gjithashtu ka arritur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke zhvilluar lojtarë brilantë, si: Kylian Mbappe, Bernardo Silva dhe Benjamin Mendy. Ekipi i tij i Monacos ishte ndërtuar rreth talenteve të reja dhe kjo do të mundë të ishte në dobi të madrilenëve. Jesus Vallejo, Martin Odegaard dhe Vinicius Junior pritet që të lënë shenjat e tyre në La Liga gjatë viteve në vazhdim dhe mund të mos ketë trajner tjetër më të mirë për të shpërthyer potencialin e tyre. Me Real Madridin, që është njëri prej klubeve më të mëdha dhe më të pasura në botë, Jardim nuk do të ishte i brengosur për ikjen e lojtarëve kyçë./Zëri