Ronaldo “rikthehet” në “Old Trafford”

Sport October 23, 2018 - 14:58
Detajet

Një fytyrë shumë e dashur për vendasit do të rikthehet të martën e Ligës së Kampionëve në “Old Trafford”. Cristiano Ronaldo do të rikthehet të luajë me fanellën e Juventusit kundër klubit në të cilin u rrit. Por kjo nuk është hera e parë që ai do të luajë kundër ish-klubit të tij. Kundër gjigandit anglez ai kishte luajtur edhe gjatë kohës së tij te Real Madridi, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Cristiano Ronaldo do të rikthehet pas suspendimit me një ndeshje në Ligën e Kampionëve për t’u përballur me ish-klubin e tij, Manchester United. Kjo do të jetë ndeshja e tij e tretë ndaj “Djajve të Kuq” që prej largimit në vitin 2009. Na këto tri ndeshje deri më tani ai i ka fituar dy, ndërsa ka barazuar një.

Juventusi, që ka arkëtuar pikët e plota deri më tani nga dy ndeshjet e parë në Ligën e Kampionëve, do të mundohet që ta vazhdojë efikasitetin e qindpërqindtë edhe në “Old Trafford” për t’iu afruar edhe më shumë kualifikimit tutje nga vendi i parë në grupin H. Në anën tjetër, vendasit kanë fituar një takim dhe kanë barazuar një tjetër nga dy ndeshjet e para në grup dhe një fitore e mundshme ndaj klubit italian të martën do ta çonte në vendin e parë në grup.

Diogo Dalot dhe Marcos Rojo do të mungojnë në këtë sfidë për anglezët, ndërkohë që klubi italian duhet të bëjë pa mesfushorin Sami Khedira.

Të dyja klubet vijnë pas barazimeve në ndeshjet e tyre përkatëse kampionate. Juventusi barazoi 1:1 në shtëpi ndaj Genoas, kurse Manchester Unitedi ndau pikët në udhëtim te Chelsea duke barazuar me rezultatin 2:2. Ky do të jetë takimi i tetë mes dy klubeve në garat evropiane. Të dyja skuadrat numërojnë nga pesë fitore, ndërsa kanë barazuar në dy takime.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Valencia do të jetë mysafire e Young Boysit. Klubi spanjoll do të kërkojë fitoren e parë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, në mënyrë që të mbetet në garë për një pozitë që dërgon në rundin tjetër.

Reali kërkon këndelljen ndaj Plzenit

Real Madridi do të kërkojë të këndellet pas ecurisë së dobët gjatë ndeshjeve të fundit. Madrilenët do të kërkojnë që t’u rikthehen fitoreve ndaj Viktoria Plzenit në Ligën e Kampionëve. Madrilenët momentalisht kanë tri pikë në grupin G dhe gjenden në pozitën e dytë, ndërsa klubi çek ka vetëm një pikë në vendin e katërt. Trajneri i vendasve Julen Lopetegui është në rrezik të shkarkimit dhe një rezultat negativ të martën do të ishte fatal për strategun spanjoll.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Roma do të presë në shtëpi CSKA Moskën. Romakët grumbullojnë tri pikë, ndërsa rusët momentalisht zënë vendin e parë në grup me katër pikë. Kjo pritet të jetë një sfidë shumë e rëndësishme për romakët, të cilën u mposhtën në fundjavë 2:0 në shtëpi nga Spali. Ndërkohë, rusët do të mundohen të marrin ndonjë rezultat pozitiv në “Olimpico” për të shpresuar në kualifikimin tutje në fazën e së tetës së finales./Zëri

Liga e Kampionëve

 

E martë

Grupi E

18:55 AEK – B. Munich

21:00 Ajax – Benfica        

Grupi F

21:00 Hoffenheim – Lyon               

21:00 Shakhtar – Man       City

Grupi G

21:00 R. Madrid – V. Plzen

21:00 Roma – CSKA        

Grupi H

18:55 Y. Boys – Valencia 

21:00 Man United – Juventus