Top-lojtari: E refuzova Man Unitedin për Juventusin

Sport October 22, 2018 - 17:27

E pranoi se kishte ofertë nga Man.United, por qendërmbrojtësi Bonucci zgjodhi kthimin tek Juventusi.

Bonucci kishte kaluar shtatë vjet në Juventus, para se të transferohej në Milan gjatë afatit kalimtar të verës. Megjithatë, 32-vjeçari nuk ishte i lumtur në San Siro dhe vendosi të kthehej në Allianz vetëm një vit më vonë, transmeton Gazeta Express.

Italiani e ka pranuar se ai e kishte mundësinë ta përjetonte Premierligës, ku Manchester Unitedi i Jose Mourinhos i kishin bërë një ofertë për ta blerë. Por, Bonucci ishte i bindur se dëshironte vetëm të kthehej në Juventus.

“Të them të vërteten, kisha disa mundësi, edhe Manchester Cityn dhe Manchester Unitedin. Nga Manchester City kisha marrë ofertë në vitin 2016. Atëherë kisha biseduar me klubin, kisha biseduar edhe me Juventusin dhe vendosëm që më mirë ishte të qëndroja dhe të vazhdoja fitoret me Juventusin”, ka thënë Bonucci.

“Dhe këtë vit e pata mundësinë të kthehem prapë në shtëpi, të kthehem në Juventus. Kur e mora këtë ofertë, nuk i kushtova më vëmendje ofertave të tjera dhe vendosa të kthehem”.

Kur u pyet se a kishte marrë ofertë nga “Djajtë e kuq” këtë verë, ai u përgjigj duke thënë: “Po”.