Fundjavë sfiduese

Sport October 20, 2018 - 13:46
Lexo tjera detaje

Kampionen aktuale të Kosovës, Dritën, të shtunën e pret një sfidë mjaft serioze dhe e vështirë. Bardhekaltrit do të luajnë si mysafirë të Ferizajt. Gjilanasit po kërkojnë stabilitet dhe inkuadrim në luftën për titull të kampionit pas një fillimi dëshpërues si pasojë e së cilit kanë mbetur në pjesën e poshtme të tabelës me 13 pikë, dhjetë larg prej kryesuesit, Feronikeli, i cili madje e ka edhe një lojë më pak të zhvilluar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Drita deri më tani i ka regjistruar vetëm katër fitore e një barazim krahas pesë humbjeve, andaj përballja me Ferizajn konsiderohet një test i madh për të nëse ka kapacitet për ta vazhduar besimin në titull. Këtë nuk do ta ketë të lehtë. Kjo pasi ferizajasit janë në presion të mungesës së fitoreve. Deri më tani i ka shënuar vetëm tri të tilla krahas një barazimi dhe pesë humbjeve. Andaj, fitorja për ekipin e Afrim Tovërlanit është një dëshirë e pamohueshme.

Mjaft interesant do të jetë edhe në Suharekë, ku Ballkani “i trazuar” nga humbja e fundit prej 6:1 nga Drita, synon këndellje ndaj një kundërshtari të fortë, Flamurtarit. Ky i fundit deri më tani është treguar ekip mjaft i fortë. Këtë e tregon më së miri pozicioni që e mban në vendin e katërt. I ka veç dy humbje. Së fundmi u mposht si vendas nga Drenica, por si mysafir sot do të përpiqet ta dëshmojë forcën reale.

Përballje e fortë pritet të zhvillohet edhe në Skenderaj, ku Drenica do të takohet me Lirinë. Kjo e fundit po përjeton krizë të madhe. Një skuadër krejt tjetër prej asaj të edicionit të kaluar. Prizrenasit i kanë 9 pikë, sa ka edhe Ballkani që është i parafundit. Bardhezinjtë synojnë ngritje ndaj kuqezinjve që tashmë kanë shkuar goxha lart me 15 pikë të grumbulluara. Por trajneri Tahir Lushtaku dëshiron ta shohë Drenicën e tij akoma më lart. 

Në anën tjetër, Prishtina ka shans perfekt ta regjistrojë fitoren e gjashtë krahas tri barazimeve dhe një humbjeje. Bardhekaltrit luajnë në shtëpi kundër KEK-ut, i cili deri më tani e ka nxjerrë veç një barazim dhe i ka pësuar tetë humbje.

Derbi i javës zhvillohet të dielën në Mitrovicë ndërmjet Trepçës ’89 dhe Llapit. ’89-shi ka përparuar kohëve të fundit dhe ka shans të mirë t’i kthehet luftës së kreut me një fitore ndaj Llapit. Ky i fundit i ka humbur dy derbi ndaj dy rivalëve të drejtpërdrejtë për titull. Është përballur me probleme të mëdha të brendshme, të cilat po mundohet t’i tejkalojë dhe në këtë drejtim një fitore eventuale në Mitrovicë do të ishte diçka fantastike për llapjanët që i ka marrë në dorë trajneri Bekim Shotani.

Supersfidë konsiderohet edhe dueli tjetër i së dielës në mes Gjilanit dhe Feronikelit, që po shihet si top-favorit për titull.