Khabib e nisi karrierën me para të shqiptarëve!

Sport October 20, 2018 - 11:47
Lexo tjera detaje
Image

Khabib Nurmagomedov është bërë njeriu më i famshëm në rruzullin tokësor që prej fitores së madhe në kafaz kundër Conor McGregorit, me ç’rast e fitoi titullin botëror. Rusi 30-vjeçar shënoi bilanc të hatashëm prej 27-0. Këtë rrugëtim brilant Khabib e kishte nisur në vitin 2008 nga Poltava e Ukrainës, ku kishte debutuar me fitore përballë Vusal Bayramovit. Mund t’ju duket e pabesueshme, por është e vërtetë: Debutimin e Khabibit si profesionist e kishte sponsoruar një grup shqiptarësh, shumë i njohur në sportin tonë, disa prej të cilit rrëfehen ekskluzivisht për gazetën “Zëri”.

Khabib Nurmagomedov është bërë njeriu më i përfolur në rruzullin tokësor që prej meçit të 7 tetorit, kur në kafaz e shënoi fitoren e jashtëzakonshme kundër Conor McGregorit, me ç’rast e fitoi titullin e kampionit botëror të peshave të lehta në artet marciale të përziera - në UFC. Kështu, rusi 30-vjeçar shënoi bilanc të jashtëzakonshëm, prej 27-0 në MMA. Ky meç me interesim të madh është përcjellë edhe në Kosovë, sikurse në gjithë botën. Njerëzit në vendin tonë tashmë kanë mësuar shumëçka rreth jetës dhe karrierës së Nurmagomedovit, ndërsa “Zëri” sjell diçka të veçantë prej karrierës së tij e që natyrisht mund të jetë interesante për opinionin shqiptar.

Meçin e parë profesionist të Khabib Nurmagomedovit e ka sponsoruar një grup shqiptarësh. Qysh në vitin 2008 në Poltava të Ukrainës xhaxhai i Khabibit po e organizonte një turne në të cilin po debutonte edhe tash kampioni botëror. Mirëpo xhaxhai dhe ekipi i tij kishin probleme financiare për organizimin e atij turneu, ndërsa kishin arritur të gjenin përkrahje financiare të një grupi shqiptarësh, i cili po vepronte në Ukrainë dhe i cili i kishte punët mirë financiarisht. Bëhet fjalë për Nexhmedin Haxhiun, Armend Dallkun, Debatik Currin dhe Ismet Munishin.

Dallku e Curri në atë kohë luanin në Ukrainë te Vorskla e Poltavës. Kurse Haxhiu ishte menaxher i respektuar i futbollistëve që kishte miqësi me njerëz të shumtë në Ukrainë dhe në vende tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Me zejen e menaxherit të futbollistëve në atë kohë merrej edhe Ismet Munishi. “Përpos nesh kanë qenë edhe disa sponsorë tjerë të atij turneu. Ne e kishim mik të mirë një familjar të tij. Pastaj u patëm njoftuar edhe me babain e Khabibit, i cili më ka lënë shumë mbresa. Khabibi në atë kohë ishte shumë i ri”, kujton Munishi të kaluarën me Khabibin gjatë një bisede me “Zërin”.

Familja Nurmagomedov vinte nga Dagestani i Rusisë, kryesisht jetonin në Ukrainë. Në vitet 2004 – 2005 Haxhiu, Dallku, Curri dhe Munishin ishin shoqëruar me Abdulnasir Nurmagomedovin, xhaxhain e Khabibit, me të cilin kishin lidhur shoqëri të fortë. Pastaj përmes tij ishin njoftuar edhe me xhaxhain tjetër të Khabibit, Nurmagomedov, i cili dikur ishte kampion bote në mundje. Dhe ndërkohë grupi i shqiptarëve ishte njoftuar edhe me vëllain tjetër të Abdulnasirit, përkatësisht babanë e Khabibit, Abdulmanap Nurmagomedov. “Me të gjithë ata njihem shumë mirë.

Sidomos njërin prej tyre e kam pasur si vëlla”, thotë për “Zërin” Nexhmedin Haxhiu teksa e rrëfen lidhjen dhe miqësinë e tij me familjen Nurmagomedov. “Unë e njoh mixhën e Khabibit që nga vitet 2004 ose 2005. Pastaj e njihja edhe mixhën tjetër të tij dhe babanë. Ata ishin tre vëllezër. Ishin myslimanë nga Dagestani – një vend mysliman në Rusi. Jetonin dhe vepronin në Ukrainë, ku në atë kohë luanin Armend Dallku e Debatik Curri. Atje kryeja edhe unë veprimtarinë time dhe njiheshim mirë me ta. Me ata njiheshin mirë edhe Dallku, Curri e Munishi, të cilët mund t’i pyesni”, tregon kryetari i klubit futbollistik Trepça.

Khabib u nis nga turneu që ia sponsoruan shqiptarët

Më 13 shtator 2008 Khabib Nurmagomedov e kishte zhvilluar meçin e parë profesionist në MMA, kur e “kishte ngulfatur” Vusal Bayramovin nga Azerbajxhani. “Më kujtohet mirë ajo ndeshje.

Khabib vinte nga Dagestani i Rusisë. Por detajet tjera nuk më kujtohen. Fatkeqësisht nuk e kam as protokollin zyrtar”, tha Bayramov, i kontaktuar nga “Zëri”. Këtij të fundit nuk i eci pastaj karriera mirë, kurse Khabibi e arriti një bilanc prej 27-0. “Pikërisht në atë turne në Poltavë Khabib i pati fituar pikët e para në MMA”, kujton Haxhiu, sponsori i atij evenimenti, ku ishin zhvilluar edhe disa meçe tjera.

“Ishte viti 2008 kur axha e tij e organizonte një turne në Poltavë të Ukrainës. Aty po debutonte edhe Khabibi, i cili ishte shumë i ri. Ata familjarisht merreshin me këtë sport, madje njëri axhë i tij në kohën e vet kishte qenë kampion botëror në mundje”, shprehet Haxhiu. “Kishin problem financiar për ta organizuar turneun dhe e kërkonin ndihmën tonë. Unë kisha mundësi dhe e pata ndihmuar sepse e kisha mik tepër të mirë. Si vëlla.

Nëse nuk gaboj e pata ndihmuar me 4 – 5 mijë dollarë. Në atë turne pati debutuar edhe Khabibi. Ishte i ri dhe kush ka pritur se do të arrijë deri këtu ku është sot. E pati fituar atë meç. Pasi debutoi me fitore, pati fituar edhe në një meç tjetër në Rusi dhe vazhdoi me fitore deri këtu ku është sot”, potencon Haxhiu. Këtë rrëfim të Haxhiut e vërteton edhe Armend Dallku, ish-ylli i Vorskla Poltavës.

“Jemi pas njoftuar me axhën e tij, pastaj edhe me babanë dhe me axhën tjetër të tij në Ukrainë. Ata jetonin në Ukrainë, ku luanim unë dhe Debatiku e ku Nexhmedin Haxhiu i kryente ato veprimtaritë e veta. Ata e organizonin një turne në Polatavë. Por kishin probleme financiare për organizim dhe kishin kërkuar ndihmë nga ne. Meqenëse kishim mundësi patëm vendosur që bashkërisht t’i ndihmojmë për organizimin e atij turneu sepse e kishim mik shumë të mirë xhaxhain e Kahabibit. Na u pat falënderuar shumë”, tregon Dallku për “Zërin”.

Dallku: Na afroi feja

Ukraina ishte vendi që i kishte njoftuar dhe i kishte miqësuar grupin e shqiptarëve nga Kosova me familjen e Khabib Nurmagomedovit, e cila vinte nga një vend mysliman i Rusisë. Të dyja palët po vepronin në Ukrainë dhe në ndërkohë ishin njoftuar për të lidhur miqësi, të cilën mundohen ta ruajnë edhe sot e asaj dite, ndonëse grupi i shqiptarëve është zhvendosur nga Ukraina, kurse familja Nurmagomedov “ka fluturuar” pas sukseseve të jashtëzakonshme të djalit të saj, Khabibit. “Familja e Khabibit vinte nga Rusia. Ata ishin myslimanë sikurse ne dhe kjo ishte ajo pika që ndoshta na kishte miqësuar me ta”, tregon Dallku në bisedë me “Zërin”.

“Kemi qenë të miqësuar familjarisht. Unë shkoja në shtëpinë e tyre për festa, si për Bajram. Po ashtu vinin në shtëpinë time. E thërrisnim njëri-tjetrin për dreka, për darka etj. Axha i Khabibit planifikonte të vinte për vizitë te ne në Kosovë dhe në Shqipëri, por shkaku i rrethanave ende nuk ka mundur të vijë. U pat martuar pak me vonesë dhe i kishte fëmijët e vegjël dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që ende nuk ka mundur të vijë. Unë ende kontaktoj me të. E urova kur Khabibi fitoi së fundmi”, tregon kapiteni i FC Prishtinës, i cili kishte pasur rast ta shihte Khabibin në disa duele në fillim të karrierës së tij profesioniste.    

Haxhiu: Jam i sigurt që Khabibi na njeh

Khabib Nurmagomedov tani është bërë ndër njerëzit më të popullarizuar në planet. Ndërsa vetë ai, sipas të gjitha gjasave, i njeh tre-katër shqiptarë, përpos Ilir Latifit që merret me të njëjtin sport. Fjala është për ata që ia kishin sponsoruar meçin e parë të karrierës – Haxhiun, Dallkun, Currin e Munishin. “Jam i sigurt që Khabibi na njeh. Nuk ka si të mos na njohë kur ia kemi sponsoruar meçin e parë të karrierës e mbi të gjitha jemi miq me babanë dhe me dy xhaxhallarët e tij. Me njërin nga ta kam ndenjur natë e ditë. Ende flas me të. Kam fotografi me ta, por i kam në shtëpi, në Kosovë, kurse aktualisht jam në Afrikë dhe nuk i kam me vete”, thotë Haxhiu.

Munishi: Në shenjë respekti për ne një garues u bë “kosovar”!

Në turneun e zhvilluar në vitin 2008 në Poltavë përpos meçit të Khabibit me Vusal Bayramovin ishin zhvilluar edhe disa meçe tjera. Organizatorët në shenjë respekti për grupin e shqiptarëve që i kishte ndihmuar financiarisht kishte vendosur që në protokoll një garues ta paraqesë si reprezentues të Kosovës, e cila vetëm pak muaj më herët e kishte shpallur pavarësinë e saj. Kjo bëhet e ditur si nga Nexhmedin Haxhiu, ashtu edhe nga Ismet Munishi. “Nuk më kujtohet se cili garues ka qenë, por e di që njëri nga ata pjesëmarrës të turneut u pat paraqitur si reprezentues i Kosovës. Nuk ka qenë Khabibi, tjetër ka qenë”, kujton Munishi./ZËRI