Sytë kah Londra

Sport October 20, 2018 - 09:21
Lexo tjera detaje

“Stamford Bridge” do të mirëpresë derbin e xhiros së nëntë të ligës angleze. Chelsea do të presë në shtëpi Manchester Unitedin. Londinezët janë duke kaluar në një formë të shkëlqyeshme këtë edicion, ndërsa “Djajve të Kuq” u ka munguar vazhdueshmëria. Ndërkohë, e diela do të sjellë derbin e qytetit mes Interit dhe Milanit, shkruan Gazeta "Zëri".

Sot futbolli anglez do t’i kthejë sytë kah Londra, ku Chelsea do të presë në shtëpi Manchester Unitedin. Klubi londinez është duke kaluar nëpër një formë të mirë gjatë këtij edicioni dhe momentalisht renditet në vendin e dytë në tabelë me pikë të barabarta me Manchester Cityn. Ndërkohë forma e “Djajve të Kuq” ka qenë e luhatshme gjatë këtij sezoni. Ekipi i Jose Mourinhos zë vetëm vendin e tetë në tabelën e ligës angleze, ndërkohë që e ardhmja e strategut portugez në “Old Trafford” është vënë në dyshim. Maurizio Sarri do të kërkojë që të vazhdojë formën e mirë të ekipit të tij, ndërsa Mourinho do të kërkojë pikën e kthesës për Manchester Unitedin. Marcos Rojo do t’i mungojnë në këtë takim “Djajve të Kuq”, ndërsa në dyshim mbetet edhe paraqitja e Ander Herrerasit, Jesse Lingardit, Luke Shawit dhe Scott McTominayt. Në anën tjetër, në pikëpyetje është paraqitja e Antonio Rudigerit.

Kjo do të jetë përballja e 163-të mes dy klubeve, me Manchester Unitedin që numëron 65 fitore dhe Chelsea që ka triumfuar 52 herë, ndërkohë që 45 ndeshje janë mbyllur në barazim. Londinezët kanë qenë të pamposhtur në “Stamford Bridge” gjatë viteve të fundit, derisa fitorja e fundit e Manchester Unitedit në këtë stadium daton në tetor të vitit 2012.

Të dielën luhet derbi i Milanos

Të dielën do të zhvillohet derbi i qytetit të Milanos mes Interit dhe Milanit. Të dyja ekipet kanë treguar një formë të mirë gjatë javëve të fundit pas një fillimi të dobët të kampionatit. Interi momentalisht zë pozitën e tretë në tabelë me 16 pikë, ndërsa Milani gjendet në vendin e dhjetë me 12 pikë, ndërsa ka një ndeshje më pak. Kapiteni Alessio Romagnoli, Patrick Cutrone dhe Mattia Caldara janë rikthyer në stërvitjet me skuadrën dhe pritet të jenë të gatshëm për derbin ndaj Interit. Ndërkohë, në anën tjetër në dyshim mbetet prezenca e Marcelo Brozovicit dhe Sime Vrsaljkos.

Ky do të jetë derbi i parë për yllin e kuqezinjve, Gonzalo Higuain, i cili u transferua në “San Siro” gjatë kësaj vere nga Juventusi. Ai thotë se nëse Milani bën lojën e tij, atëherë mund të mposhtë këdo. “Të gjitha derbit kanë një shije të veçantë. Do të jetë e njëjta gjë edhe këtë herë dhe për shkak se është hera ime e parë për Milanin  do të jetë e bukur që të luaj në të. Ne jemi duke pritur me qetësi, të përqendruar dhe me dëshirën për të bërë më të mirën”, deklaroi Higuain. “Ky është një derbi i zjarrtë si ai në Madrid. Milani mund të fitojë nëse e kemi ndërgjegjen e të mosqenit inferior ndaj askujt. Nëse e kemi këtë ne mund ta bëjmë lojën tonë”, shtoi ndër të tjera argjentinasi./ZËRI