Gjykoi finalen e Kupës së Shqipërisë, në derbin e Milanos 'komandon' Guida

Sport October 19, 2018 - 12:47
Detajet

Dje janë përcaktuar emrat e arbitrave për javën e nëntë të Serisë A dhe Marco Guida është përzgjedhur që do të vendosë drejtësi në takimin mes Interit dhe Milanit, i programuar për të dielën, në orën 20:30.

Gjyqtari i derbit ishte njëkohësisht kryesori në finalen e Kupës së Shqipërisë të luajtur më 22 maj të vitit 2016 mes Laçit dhe Kukësit, shkruan Panorama Sport.

Ndeshja do të përfundonte në barazim 1-1, ndaj do të duheshin goditjet nga 11 metrat për të shpallur kurbinasit kampionë. Asokohe, italiani ndihmohej nga asistentet Lorenzo Manganelli dhe Alessandro Costanzo, teksa në takimin e së dielës do të ketë ndihmën e dyshes Matteo Passeri dhe Filippo Meli. 

Duke u rikthyer te derbi, ky është i treti në karrierë për këtë arbitër, teksa dy të mëparshmit janë ai i vitit 2014, që u mbyll në barazim, dhe ai i sezonit të kaluar, i vlefshëm për Kupën e Italisë, që u fitua nga Milani.

Bilbili nga kolegjiumi i Napolit ka arbitruar nga një herë secilin nga ekipet në këtë sezon. Interi fitonte ndaj Sampdorias, ndërsa kuqezinjtë me Romën. Totali flet për 21 ndeshje të drejtuara për Milanin (10 fitore, 7 barazime, 4 humbje) dhe 18 për zikaltrit (10 fitore, 4 barazime, 4 humbje). Guida ka arbitruar 123 ndeshje në Serine A, ku ka nxjerrë 610 kartonë të verdhë dhe ka akorduar 32 11-metërsha.