S’e harruam Kosovën, s’e lamë anash Superligën

Sport October 19, 2018 - 10:09
Detajet
Image

Themelet e projektimit serioz të Përfaqësueses së Kosovës “ishin hapur” gati një dekadë më parë. Albert Bunjaki kishte nisur gjithçka me grumbullimin e qindra futbollistëve që nga viti 2009. Ish-përzgjedhësi i Kosovës viteve të fundit ishte kritikuar se i kishte anashkaluar futbollistët e Superligës, por ai sjell fakte përmes së cilave e vërteton të kundërtën. Sipas tij, futbollistët e ligës vendore janë testuar detajisht një nga një dhe rezultati i nxjerrë ishte i mjerueshëm, pasi në të gjitha aspektet i sheh ata larg futbollistëve kosovarë që luajnë në Evropë

Përfaqësuesja e Kosovës sot përbëhet kryekëput nga futbollistë të diasporës, shkruan sot gazeta Zëri.

Vetëm Visar Bekaj, portier i Prishtinës, është pjesë e “Dardanëve”, me të cilët nuk ka debutuar ende në ndeshje zyrtare.

Por, nëse kthehemi gati një dekadë më parë, situata ishte krejt ndryshe.

Ndërtimi serioz i Përfaqësueses kishte nisur në vitin 2009 nga arkitekti i saj, Albert Bunjaki.

Në atë botë, Përfaqësuesja përbëhej 100 për qind nga lojtarë të Superligës.

Bunjaki kishte ardhur me një bagazh të pasur nga jashtë dhe përvojën e tij ishte zotuar se do ta shpaloste në atdheun e tij, pa kurrfarë përfitimi.

Arkitekti i Përfaqësueses së Kosovës

Qindra futbollistë nga futbolli kosovar kanë kaluar nëpër duart e tij, të cilët fillimisht janë testuar, e më pas edhe seleksionuar.

Bunjaki sjell fakte, përmes së cilave vërteton se nuk i ka lënë asnjëherë anash futbollistët e ligës vendore, edhe pse akuzohej për një gjë të tillë, por thotë se është treguar profesionist dhe i ka zgjedhur në fund ata që e kanë merituar.

Në bazë të testimeve të bëra ndër vite është nxjerrë përfundimi se futbollistët e Superligës qëndrojnë larg për nga forma fizike dhe qëndrueshmëria karshi lojtarëve që luajnë në Evropë, por edhe atyre të Ballkanit.

Prandaj, sipas tij, është e pamundur të ftosh lojtarë të Superligës derisa dallimi i tyre me lojtarët kosovarë që luajnë në Evropë është tejet i madh.

“Hapin e parë që e kemi bërë në vitin 2009 ishte vlerësimi i situatës momentale, pavarësisht se kemi pasur njohuri për Superligën. Kjo është bërë në bazë të përvojës sime dhe trajnerëve që i kam pasur në ligë, Muharremin, Gencin, Ahmetin e Bahriun. Në bazë të këtyre vlerësimeve i kemi krijuar katër kritere të fazës së punës. Në periudhën 2009-10 ka qenë faza e parë, e cila është quajtur faza e seleksionimit. 100 për qind kanë qenë lojtarë të Kosovës. Janë tubuar 74 lojtarë të Superligës së Kosovës, madje edhe të Ligës së Parë. Ata i kemi grumbulluar dhe i kemi testuar në shtator e tetor 2009. Ka ardhur trajneri i aspektit fizik prej Anglisë dhe i kemi bërë testet fizike me ta në janar. Më 17 shkurt e kemi zhvilluar ndeshjen e parë kundër Shqipërisë, ku kanë qenë vetëm tre lojtarë nga diaspora. Pra, pjesa dërrmuese kanë qenë nga ai tubim”, ka shpjeguar fillimisht për “Zërin” Bunjaki, i cili me vete e kishte një “kerr” dokumentesh, shkruan "Zëri"

“Prej tubimit grupor kemi kaluar në seleksionimin individual. Prej 74 lojtarëve duhet t’i zgjedhësh 23 apo 30 lojtarë që të nevojiten. Pastaj, në 2014-ën ne kemi filluar me fazën e konkurrencës. Prej ndeshjes me Haitin i kemi afruar lojtarët nga jashtë. Ndërkohë, prej 2011-2014 është punuar me projekte të brendshme, është punuar me teste fizike, ku testi më voluminoz ishte testimi i 143 lojtarëve të 12 klubeve të Superligës. Të gjitha testet e tyre dalin me parametra shumë larg pjesës së Evropës. Mandej këto teste janë krahasuar edhe me ligat ballkanike. Këto teste tregojnë shumë qartë se përgatitjet fizike nuk janë as për së afërmi me ligat e Evropës dhe nuk jemi befasuar, por të paktën kemi pritur që me ligat e rajonit të jenë më të afërta. Por, nuk është ndonjë befasi, sepse e kemi ditur. Për mua ka qenë e rëndësishme që të mos më flasë vetëm syri, por të kem edhe fakte në letër, që qëndrueshmëria fizike nuk është e përafërt me një lojtar që do ta merrnim nga jashtë”, ka shtuar arkitekti i Përfaqësueses së Kosovës.

“Në vitin 2014 ka filluar seleksionimi i konkurrencës, kanë ardhur lojtarë prej perëndimit dhe i kemi përzgjedhur lojtarët më të mirë të mundshëm. Në 2016 kemi hyrë në fazën e kualifikimeve dhe si Kombëtare e re ajo e përfaqëson ligën dhe shtetin e Kosovës. Askujt nuk i intereson prej nga je apo prej nga po vjen. Të gjithë janë kosovarë, shqiptarë, e përfaqësojnë shtetin. Mos eksperienca e jonë në ndeshjet ndërkombëtare ka ndikuar pasi nuk e kemi ditur si opinion, si trajnerë, që kombëtaret që vijnë nga rajoni e që e kanë ligën shumë më të fortë se ajo e Kosovës, si Bosnja, Kroacia, Sllovenia dhe Serbia, nuk e kanë pasur asnjë lojtar të ligave të tyre në përfaqësuese, ose i kanë pasur një apo dy maksimumi. Unë e pata bërë një krahasim të tillë”, nënvizoi Bunjaki.

“Gjithashtu, unë kurrë nuk i kam shikuar lojtarët si të Kosovës apo të diasporës. Të gjithë janë të njëjtë për mua. Kur i kalon fazat e seleksionimit ekipor, individual dhe të konkurrencës, e sheh se kush e meriton të luajë e kush jo. Më 2014 kam marrë kritika pse nuk i kam marrë lojtarët nga liga e Kosovës. Por, unë nuk mund të kthehesha në vitin 2009 pasi ajo periudhë kishte përfunduar”, thotë tutje ai.

Sipas tij, në Kosovë ka pasur mos njohuri se si veprojnë vendet tjera dhe interes personal të disa personave që kanë mundur t’i dinin disa gjëra, por nuk i dinë detalisht, por prapë se prapë kanë tentuar të përzihen përmes informatave që nuk janë të qëndrueshme, shkruan "Zëri"

Image

Nuk u anashkalua futbolli kosovar

Bunjaki ka shtuar se në vitin 2014 i ka nxjerrë disa kritere të seleksionimit, ku janë shikuar niveli i ligës ku kanë luajtur lojtarët, kriteri i konkurrencës dhe disa detaje të tjera.

“Unë kam qejf të ketë sa më shumë lojtarë të Superligës në Përfaqësuese, por ndërkohë duhet të tregohesh profesionist dhe t’i ftosh ata që e meritojnë. Për ta merituar këtë duhet t’i kesh disa elemente që janë të përafërta me këta lojtarë që po luajnë për Kosovën. Ke të bësh me intensitet shumë të lartë të lojës. Kemi luajtur ndaj katër top ekipeve, që ishin në Top 20 në botë”, vazhdoi Bunjaki.

“Nuk është anashkaluar kurrë futbolli kosovar. Ju është dhënë mundësi gjithmonë lojtarëve. Përkundrazi, është punuar në mënyrë shumë profesionale prej fillimit, ekziston edhe raporti i punës i detajuar. Është punuar me disa projekte, të cilat kanë pasur për qëllim ndikimin në zhvillimin e ligës së Kosovës”, shton ai.

“Kosova e ka pasur kriter që lojtarët të kenë teknikë, të jenë në moshë të re, është menduar për parametra afatgjatë, të kenë shpejtësi etj”, zbulon Bunjaki.

Sipas tij, shpresa ka pasur dhe do të ketë gjithmonë për futbollistët e Superligës. Por, shton se të gjithë duhet të jemi realistë dhe të shkohet hap pas hapi. Që një lojtar të arrijë sukses, sipas tij fillimisht duhet të shkojë të luajë në një vend të rajonit, për shembull në Shqipëri, e pastaj në ndonjë ligë më të fortë evropiane pasi është e pamundshme të shkohet nga Kosova direkt në Bundesligë, sepse dallon si nata më ditë intensiteti i lojës dhe përgatitja e qëndrueshmëria fizike.

“Në kohën kur kam qenë unë ka qenë më e vështirë pasi ekipet kosovare nuk kanë luajtur në gara ndërkombëtare. Unë jam mbështetur në fakte. Ua kam dhënë mundësinë lojtarëve të Superligës, i kam testuar, i kam krahasuar. Nëse e nënçmoj ligën e Kosovës, unë e nënçmoj veten. Çka kam bërë unë për ligën e Kosovës, besoj që njerëzit e dinë. Por, unë jam munduar ta bëj punën në mënyrë profesionale”, nënvizoi tutje ish-ndihmës trajneri i Kalmarit, shkruan "Zëri"

Tutje ai shtoi se futbolli kosovar ka përparim dhe po shkon në rrugën e duhur. Por, këshillon të punohet më shumë për ngritjen e nivelit.

Ai beson se me ardhjen e trajnerëve dhe lojtarëve të huaj, por edhe me zhvillimin e sa më shumë ndeshjeve ndërkombëtare, edhe futbolli i këtushëm mund të përparojë.

“Vitin e parë kampioni ynë është eliminuar nga një ekip i Ishujve Faro, që është në vendin e 55-të në Evropë. Këtë vit kemi pasur ballafaqime me Luksemburgun. Jemi aty diku, nuk është ligë për t’u nënçmuar, por është realitet që duhet të punojmë më shumë. Ka ngritje liga e Kosovës, por duhet të jemi realistë dhe çka të bëjmë që ta ngrisim dhe ta zhvillojmë. Vijnë trajnerë me eksperienca të ndryshme, vijnë lojtarë po ashtu me eksperiencë, rritet shikueshmëria, infrastruktura më e mirë. Është bërë një punë shumë e mirë, por duhet kohë për të arritur aty ku po mendojmë dhe dëshirojmë”, shpjegon Bunjaki.

Krenar me punën e bërë

Ai është krenar me punën që e ka bërë dhe ka dalë nga Përfaqësuesja e Kosovës me kokën lart.

“Ne kemi pasur vullnet për më shumë, por kemi bërë punë të mirë. Kosova është vendi ku jam lindur, kam ardhur të kontribuoj pasi kam qenë i përgatitur, kam pasur licencë, përvojë, kam punuar si skaut për tri vjet në Shqipëri, kam punuar në akademinë e Suedisë një kohë. Kam pasur njohuri dhe kontakte qysh atëherë me lojtarë. Ndoshta dikush tjetër do të bënte edhe më shumë. Por, unë nuk hezitoj të them se ajo periudhë ka qenë mjaft e mirë për mua. Tash është më lehtë”, ka përfunduar Bunjaki./Zëri