Reali kontakton Conten, shansi i fundit për Lopeteguin

Sport October 18, 2018 - 15:06
Detajet

Julen Lopetegui i ka ditët e numëruara te Reali i Madridit. Emërimi i trajnerit spanjoll në krye të “Los Blancos”, par dorëheqjes së Zinedine Zidane, nuk ka patur impaktin e pritshëm në klubin mbretëror. Në tri ndeshjet e fundit Reali ka pësuar dy humbje dhe ka marrë një barazim, rezultate që e kanë venë trajnerin në qendër të kritikave.

Drejtuesit e Realit, në këto kushte kanë nisur të mendojnë për zëvendësimin e Lopeteguit, edhe pse 52-vjeçari ka mundësi ta rikuperojë mbështetjen nëse fiton ndeshet e radhës, veçanërisht El Clasicon me Barcelonën, transmeton SS.

Mediat italiane, më konkretisht, Corriere dello Sport, ka zbuluar se këtë të hënë drejtuesit e Realit kanë nisur kontaktet me Antonio Contën, i cili është pa punë që pas largimit nga Chelsea. Në fakt, italiani u përfol edhe gjatë ditëve të para të qershorit se mund të merrte vendin e lënë bosh nga Zidane, por në atë kohë ai ishte i lidhur me Chelsea-n dhe nuk pranoi të dorëhiqej, duke pretenduar një dëmshpërblim të majme nga presidenti i bluve të Londrës, Roman Abramovich.

Contes nuk i pëlqen të qëndrojë për një kohë të gjatë pushim, kështu që në rast se shkarkohet Lopetegui, do të jetë i gatshëm për të nisur punën te klubi më i rëndësishëm në botë.