Sport

Henry prezantohet te Monaco: Guardiola, shembulli im

Henry prezantohet te Monaco: Guardiola, shembulli im
18 tetor 2018 • 14 : 14

Detajet

Thierry Henry u prezantua si trajneri i ri i Monacos. Për 41-vjeçarin francez, kjo detyrë është një rikthim në shtëpi, pasi pikërisht te kjo skuadër ai bëri debutimin e tij në botën e futbollit.

Thierry Henry ka qenë një prej futbollistëve më të suksesshëm francezë.

Sulmuesi ka zhvilluar 123 ndeshje me Francën, duke shënuar 51 gola. Me Blutë ai është shpallur kampion bote në 1998 dhe kampion Evrope në vitin 2000.

Përsa u përket klubeve, pas Monacos, Henry ka luajtur për një dekadë te Arsenali, përpara se të transferohej te Barcelona, me të cilën në vitin 2009 fitoi të gjithë trofetë e mundshëm, transmeton TCH.

I pyetur nëse suksesi i tij si futbollist do ta ndihmojë në rolin e trajnerit të Monacos, Thierry Henry u përgjigj se kjo përbën një avantazh, por nuk do të thotë se do ta ketë të lehtë. Ai shpjegoi se ka dëshirë që skuadra e tij të luajë futbollin e skuadrave të Pep Guardiolës: “Ai është referenca, të paktën për mua:.

Përsa i përket rikthimit të tij te Monaco, Henry tha se është diçka e pabesueshme dhe se në momentin kur i erdhi oferta, dëgjoi zemrën e tij dhe e pranoi atë.

Thierry Henry do të ketë në stafin e tij Joao Carlos Valado Tralhao, aktualisht trajneri i skuadrës së U23 të Benfikës dhe Patrik Ampadu, që është trajner në akademinë e Arsenalit. Henry do të nisë debutimin e tij si trajner i Monacos me ndeshjen e së shtunës ndaj Strasburgut, ndërkohë që 4 ditë më vonë skuadra e Principatës do të luajë sfidën vendimtare ndaj Club Brugges, në Ligën e Kampioneve.

Monaco ndodhet në pozita delikate në kampionatin francez, në vendin e 18 të renditjes, ndërkohë që ka vetëm 1 fitore në 12 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet.

© zëri.info