'Zizi': Do të bëj çmos që turneu 'Kolosët e Boksit të Kosovës' të mbahet

Sport October 18, 2018 - 13:54
Detajet

Legjenda kosovare e boksit, Aziz Salihu për herë të tretë është duke u munduar që të organizojë një turne të boksit në nderim të ish-boksierëve të mëdhenj të Kosovës, raporton zeri.info

Pas dy tentativash të dështuara, kësaj radhe ai shpreson shumë dhe beson që do të jetë në gjendje që më 28 tetor të mbajë në Prishtinë turneun “Kolosët e Boksit të Kosovës”.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten ai tha se pavarësisht se i mungon përkrahja institucionale dhe ajo e sponsorëve, ai beson që turneu do të mbahet.

“Pas dy dështimesh që i kam pasur për të organizuar një turne për këta heronj të boksit, që i ka njohur edhe bota, është marre që nuk mund të mbahet një turne i tillë”, është shprehur Salihu në konferencën e tij për shtyp të enjten.

“Unë po bëj çmos për ta organizuar, por nuk mund t’i marr me zor sponsorëve. Është marre që sponsorët nuk dhurojnë për këtë turne. Boksi për mua është numri një”, vazhdon më tej ish-boksieri, i cili thotë se gjithmonë i vetëm dhe pa përkrahjen e askujt ka ndërmarrë iniciativa për të organizuar turne të boksit.

“Një Aziz Salihu ka ngajt për të organizuar turne, që të loboj sa më shumë për Kosovën”, ka thënë ai.

Salihu gjithashtu shprehu edhe keqardhjen e tij për gjendjen momentale të klubit të boksit Prishtina.

“Me hy sot në klubin e Prishtinës, gjendja është e mjerueshme. Komuna nuk bën asgjë për klubin. Unë vet kam ngajt për të bërë gjithçka. Japin miliona për të ndërtuar stadiumin, e nuk janë në gjendje ta ndihmojnë klubin e boksit për 50, 60 mijë euro”, thotë fituesi i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të vitit 1984 në Los Angeles.

Sidoqoftë pavarësisht vështirësive në të cilat ai është duke hasur, thotë se do të bëj gjithçka në mënyrë që turneu të mbahet ky turne.

“Kështu është kur s’ka shtet. Ata dinë të hanë të punë, e nuk mund të organizojnë një turne. Do të bëj çmos që ta mbajë turneun. Çdoherë e kam mbajtur turneun pa bileta. Ka me qenë një spektakël në mënyrë që njerëzit të kënaqen. Do të ketë boksierë nga Sllovenia, Maqedonia, Turqia, Malit të Zi e Shqipërisë. Mendoj që publiku do të kënaqet si gjithmonë. E lus popullin që të vij. ” ka thënë Salihu./Zëri

Image