Kosova, para sfidave më të mëdha

Sport October 18, 2018 - 12:41
Image

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është grumbulluar të mërkurën para dy sfidave më të vështira që i ka pasur ndonjëherë.

Verdhekaltrit do të luajnë si mysafirë të Polonisë më 24 tetor dhe më 28 tetor e presin Gjermaninë në Prishtinë, shkruan sot gazeta Zëri.

Dhe, për t’u bërë sa më mirë gati për këto dy përballje të mëdha, që zhvillohen në kuadër të grupit të parë të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, trajneri Taip Ramadani e ka grumbulluar ekipin dje në Prishtinë.

Fillimisht prezentë do të jenë lojtarët e klubeve të Superligës, ndërsa lojtarët e klubeve të huaja do t’i bashkohen përfaqësueses në Turqi, ku kontingjenti kosovar do të udhëtojë më 20 tetor.

“Pa dyshim, kjo do të jetë sfida më e madhe që e ka pasur kombëtarja jonë. Natyrisht se kjo na motivon si ekip. Me Poloninë njihemi pas takimit në janar dhe e dimë çka na pret. Polakët kanë ekip fizik me pivotë të mirë dhe alo të shkëlqyeshme. Por, Polonia është ekip me disa dobësi që duhet t’i shfrytëzojmë. Ndërsa, ardhja e Gjermanisë në Kosovë është ngjarje historike për hendbollin e Kosovës”, ka thënë fillimisht Ramadani.

“Karshi do ta kemi një ekip me kualitet të rrallë që gati në çdo pikëpamje është superior ndaj nesh. Por dashamirët e sportit të Kosovës do t’i presë një shpirt luftarak me motivim të lartë, që t’i tregojmë aftësitë tona”, ka shtuar trajneri. /Zëri/