Priten ndryshime në përfaqësuesen simpatike të Kosovës

Sport October 18, 2018 - 12:39

Edhe pse nuk e arriti befasinë më të madhe – kualifikimin në “Euro 2019” – Përfaqësuesja U-21 e Kosovës e mbylli faqebardhë kampanjën kualifikuese, shkruan sot gazeta Zëri.

Në një grup shumë të vështirë, ekipi i Rafet Prekazit arriti të përfundojë në vendin e tretë me 12 pikë të tubuara, vetëm tri pikë më pak sesa Norvegjia, që e zuri vendin e dytë.

Pra, bëhet fjalë për një cikël mjaft të suksesshëm për skuadrën e shpresave të Kosovës, kur dihet se kjo ishte hera e parë e pjesëmarrjes së saj në një kampanjë kualifikuese gjatë së cilës fitoi simpati të madhe në mesin e kosovarëve, ndërsa në arenën ndërkombëtare u vlerësua si një befasi e këndshme.

Edhe vetë përzgjedhësi Rafet Prekazi është ndarë i kënaqur me këtë cikël, ndërsa ka paralajmëruar ndryshime në përbërje për garat e ardhshme.

“Tash do të kemi edhe ndryshimin e gjeneratës dhe disa prej lojtarëve që e bartën barrën kryesore në këtë cikël kualifikues nuk do të jenë më me ne. Sidoqoftë, mendoj se në përgjithësi në këtë cikël kualifikues kemi lënë përshtypje të mirë”, ka thënë strategu kosovar. /Zëri/