Rikthimi i Alcacerit

Sport October 18, 2018 - 12:34
Detajet

Paco Alcacer u rikthye në përfaqësuesen e Spanjës pas një mungese prej dy vjetësh e gjysmë. Futbollisti në top-formë i Borussia Dortmundit shënoi tre gola në dy ndeshje për Spanjën. Ishte pikërisht përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, ai që kishte nënshkruar me sulmuesin në vitin 2016 derisa ishte trajner i Barcelonës, shkruan sot, gazeta "Zëri"

1 minutë e 35 sekonda. Kaq kohë iu nevojit Paco Alcacerit pas inkuadrimit në fushë për të ngushtuar në 3:1 epërsinë e Anglisë ndaj Spanjës me prekjen e tij të parë në fushë. Marco Asensio harkoi nga korneri dhe sulmuesi, i cili u gjend afër shtyllës së parë goditi me kokë për të mposhtur portierin Jordan Pickford në minutën e 57-të. Ai gol ua dha një mundësi spanjollëve për të harruar pjesën e parë, gjatë së cilës kishin pësuar tre gola. Sidoqoftë, reagimi i spanjollëve do të vinte vonë për t’ia mohuar fitoren Anglisë, që triumfoi 3:2 në Ligën e Kombeve të hënën.

Por një gjë është e qartë për Spanjën pas kësaj humbjeje të hidhur, Paco Alcacer është rikthyer. Vicente del Bosque ia kishte mundësuar lojtarit debutimin me ekipin e parë të Spanjës në një miqësore ndaj Francës pas Kupës së Botës “Brazili 2014”. Ai e shfrytëzoi lojtarin gjatë kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2016, por nuk e ftoi atë në këtë kompeticion. Para kësaj jave Alcacer për herë të fundit ishte paraqitur me Spanjën në mars të vitit 2016, duke kaluar kështu dy vjet e gjysmë pa u ftuar në përfaqësuese.

Kjo periudhë përfshiu një aventurë të komplikuar te Barcelona, ku mungesa e paraqitjeve ia kishte zbehur vetëbesimin dhe golat, ndërsa kjo bëri që ai të shkonte në drejtim të ligës gjermane gjatë këtij gushti.

Tani duket sikur ky ishte një vendim i duhur me futbollistin që ka shënuar shtatë herë në vetëm katër ndeshje për Borussia Dortmundin, me një mesatare të golit për çdo 24 minuta. Për më tepër, tre prej këtyre golave erdhën në 31 minutat që ai luajti ndaj Augsburgut.

Gjatë prezantimit të tij si trajneri i ri i Spanjës, Luis Enrique foli për një listë prej 73 emrash potencialë për skuadrën e tij. Përderisa ai nuk e përfshiu sulmuesin në skuadrën e tij të parë, ai më pas sinjalizoi për një interesim të tij duke thënë: “që prej transferimit të Paco Alcacerit te Dortmundi lista ime është rritur në 74”.

Prezenca e 25-vjeçarit në ekipin e dytë të Enriques dhe paraqitjet e tij të jashtëzakonshme së fundi treguan se përfshirja e tij mund të kthehet në një gjë të rregullt. “Papritmas, gjithçka është duke shkuar mirë. Kjo për shkak të vetëbesimit”, kishte deklaruar së fundmi Alcacer në një intervistë.

Enrique asnjëherë nuk e ka fshehur faktin se atij i pëlqejnë kualitetet e Alcacerit. Aftësi për të luajtur në zona të ngushta ose lirimit të hapësirës, instinktit për të qenë në vendin e duhur në kohën e duhur dhe aftësinë për të qenë vendimtar kur nuk është edhe aq i dobishëm gjatë ndeshjes. Në të vërtetë, ishte vetë Enrique ai që e bleu lojtarin në “Cam Nou”, edhe pse ai nuk i ofroi atij minuta të mjaftueshme në ekipin e parë.

Por, a mund të jetë Alcacer zgjidhja për një skuadër që është në kërkim të një sulmuesi qendror që prej largimit të David Villas? Koha do të tregojë, por momentalisht lojtari është duke e shfrytëzuar mundësinë e tij. “Ju kurrë nuk e dini nëse thirrja është e para prej të shumtave ose e fundit, por të qenit në ekipin e Spanjës është gjëja më e mirë që mund të ndodhë në futboll”, është shprehur Alcacer./Zëri