Hazard, më i miri në Premierligë?

Sport October 18, 2018 - 12:33
Detajet

Eden Hazard e ka filluar në mënyrë të jashtëzakonshme edicionin e ri në Premierligë. Belgu e mban pozitën e parë në listën e golashënuesve të ligës angleze me 7 realizime në 8 ndeshje. Por, a është ai futbollisti më i mirë në Premierligë?

Të gjithë sytë janë kthyer kah Eden Hazardi gjatë këtij edicioni të Premierligës. Sulmuesi i Chelseat është në krye të listës së golashënuesve me shtatë realizime. Ky është starti i tij më i mirë qysh prej ardhjes në Angli në verën e vitit 2012. Analistët e “Sky Sports” janë pyetur nëse Hazard është futbollisti më i mirë në Angli. Ja se cilat janë mendime e tyre, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Matt Le Tissier

“Hazard është më lart se të gjithë në ligë deri më tani këtë edicion. E pashë atë në Southampton, ku ai nuk e kishte ndeshjen e tij më të mirë, por përsëri ai ishte i rrezikshëm sa herë që e zotëronte topin. Ai thjesht duhet të bëjë dy ose tri edicione së bashku me nga 20 gola, duke vazhduar me kontributin e njëjtë si tani, pastaj mund t’i afrohet paksa Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në grupin e më të mirëve”.

Paul Merson

“Do të thosha që po. Ai është golashënuesi më i mirë, ai po bën gjëra të mira. Para disa javësh do të thosha se ai është lojtari më i mirë në botë, por pastaj Messi e bëri atë paraqitjen ndaj Tottenhamit në ‘Wembley’. Problemi me Hazardin, dhe unë jam tifoz i madh i tij, është se ndonjëherë mund të zhduket për gjashtë muaj. E kemi parë këtë dy herë te Chelsea, sezonin e kaluar për shembull. Messit nuk i ndodh kjo. Ai mund të zhduket për një ndeshje, por Hazard e ka bërë në pjesë të mëdha të edicionit, kur situata nuk ka qenë e mirë për ekipin e tij. Nuk mendoj se e kam parë Messin të ketë dy apo tri ndeshje të këqija radhazi, por Hazard u zhduk në pjesë të rëndësishme në edicionin e kaluar dhe në atë kur Mourinho u shkarkuar (edicioni 2016/2016). Ai duhet të tregojë vazhdimësi, më shumë se gjithçka. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm këtë edicion, por e kemi parë këtë edhe më parë kur Chelsea e fitoi ligën së fundmi”.

Phil Thompson

“Hazard është lojtari më i mirë në Premierligë. Sarri ishte i mençur kur e pushoi pak në fillim të sezonit dhe ai është duke e nxjerrë më të mirën nga ai. Janë edicionet pas të cilave Chelsea e kishte fituar Premierligën kur Hazard e lëshonte veten sepse i mungonte madhështia, vazhdueshmëria. Qoftë nëse jeni skuadër ose individ, për t’u paraqitur çdo javë në nivelet më të larta nevojitet niveli i përqendrimit të cilin ndoshta ai nuk e kishte, kështu që ai është ndalur të qenit ky lloj i lojtarit”.

Charlie Nicholas

“Ai duhet ta bëjë këtë në Ligën e Kampionëve, është kaq e thjeshtë. Ai ka disa elemente në arenën e madhe, por jo vazhdueshmëri. Ai është jashtëzakonisht teknik, ai është lojtari më i mirë në Premierligë dhe më emocionuesi. Por ai kthehet prej të mrekullueshmit në një mesatar në sezonin tjetër, kështu që duhet ta bëjë këtë edhe në Ligën e Kampionëve. Se a është Chelsea ose Real Madridi, kjo është një tjetër histori”./Zëri