Juventusi ia nis misionit në Shqipëri

Sport October 18, 2018 - 08:20
Lexo detajet!

Disa vite më parë, skuadra e futbollit AC Milan, organizoi në Shqipëri një kamp për përzgjedhjen e fëmijëve talente, që ishin pjesë e akademive të ndryshme të futbollit në vend.

Kjo traditë duket se është shndërruar në një mundësi të mirë, për të vëzhguar nga afër fëmijët shqiptarë. Së fundi përfaqësues të Akademisë së Juventus në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, kanë nisur një proces trajnimi me fëmijët e akademive të ndryshme të futbollit në Tiranë.

Ky proces ka të bëj më tepër me zbatimin e metodave didaktike të stërvitjes së fëmijëve. Kryesisht trajnerët e ardhur nga Akademia e Juventus, synojnë që të bëjnë pjesë të procesit stërvitor, metoda taktike dhe teknike që zbatohen në Itali.Image

“Fillimisht më lejoni të falënderoj bashkinë dhe Agjencinë e Parqeve, që na mundësoi krijimin e kushteve për të zhvilluar këtë aktivitet. Ne duam që fëmijët të kënaqen me lojën dhe të argëtohen. Ne kemi si qëllim që të zbatojmë metodat e stërvitjes së Juventues edhe këtu te fëmijët e akademive të futbollit në Shqipëri. Pra ne synojmë që e njëjta stërvitje që bëhet për fëmijët në Torino të bëhet edhe për fëmijët këtu në Shqipëri”-tha Gianluca Settanni, trajner futbolli i ardhur nga Akademia e Juventusit.

Ai thotë se mes fëmijëve që ka vëzhguar deri më tani ka talente, por është ende herët për të folur për një gjë të tillë. Sipas Gianluca Settannit, talentin e tregon koha, tashmë duhet fokusuar tek argëtimit dhe nxitja e dëshirës për të luajtur futboll.

“Situat duket e mirë, kam parë fëmijë që kanë dëshirë të luajnë futboll. Por sigurisht që ka shumë gjëra për t`u përmirësuar. Sigurisht që ka dhe talente, por para kësaj, e rëndësishme është që fëmijët të kënaqen dhe të luajnë futboll. Është ende herët për të folur për talente, pasi këtë do e tregoj koha”-tha ndër të tjera Gianluca Settani.

Fëmijët janë argëtuar gjatë këtij aktiviteti, ndërsa trajneri i ardhur nga Akademia e Juventusit, Gianluca Settanni, ka vëzhguar me kujdes mënyrën e rreshtimit të fëmijëve në fushën e lojës, lëvizjet taktike dhe manovrat në grup. Ai ka dhënë udhëzime për trajnerët shqiptarë dhe vetë fëmijët, duke u treguar metodat stërvitore të Akademisë së Juventusit. Ky bashkëpunim pritet të jetë afatgjatë, teksa përfitues do të jenë shumë fëmijë të kryeqytetit që stërviten në akademi të ndryshme futbolli. /TelesportImage