14 vjet – 389 gola – 25 trofe

Sport October 17, 2018 - 14:44
Lionel Messi e ka festuar të martën 14-vjetorin e debutimit në fanellën e Barcelonës. Argjentinasi në këtë periudhë u bë legjendë, duke i realizuar 389 gola dhe duke i fituar 25 trofe ekiporë dhe pesë herë Topin e Artë. Gjithashtu është bërë njëri prej futbollistëve më të mirë në histori. Prandaj Barcelona ka arsye të festojë çdo 16 tetor

16 tetori i vitit 2004 do të mbetet gjatë në histori të futbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

Në atë ditë e ka bërë debutimin në futbollin profesionist Lionel Messi, njeriu që konsiderohet prej shumëkujt si futbollisti më i mirë ndonjëherë.

Pra, dje 14 vjet Messi debutoi me Barcelonën, duke u futur në minutat e fundit të derbit ndaj Espanyolit në vend të portugezit Deco, i cili e kishte vendosur atë lojë.

Messi ishte inkuadruar në minutën e 84-t. Në atë kohë “Pleshti” ishte vetëm një lojtar premtues i futbollit botëror dhe në atë kohë e veshte fanellën me numrin 30.

Trajneri i Barçës në atë periudhë ishte holandezi Frank Rijkaard, i cili i ka meritat më të mëdha për ngritjen e Messit. E në skuadër gjiganti katalonjas kishte yje të klasit botëror si Puyol, Cavi, Ronaldinho e Eto’o.

Goli i parë

Mirëpo, për të arritur deri te goli i parë yllit argjentinas iu desh të priste disa muaj. Në fakt ai e ka shënuar golin e parë në fanellën e Barcelonës më 1 maj të vitit 2015 kundër Albacetes.

Tash peshon 389 gola

Tash numri i golave të Messit është i jashtëzakonshëm. Ai ka realizuar 389 gola në 426 ndeshje. Messi ishte i frikshëm për portierët kundërshtarë dhe për mbrojtësit po ashtu. Driblimet e tij, preciziteti, shpejtësia dhe klasi e veçojnë yllin argjentinas, i cili u rrit në Spanjë.

25 trofe

Si rezultat i paraqitjeve të mira dhe golave të shënuar sigurisht që priteshin edhe shpërblimet. Andaj Messi gjatë karrierës së tij i ka fituar 25 trofe me Barcelonën, një rekord absolut, duke i kaluar edhe legjendat si Xavi e Iniesta, me të cilët e fitoi pjesën dërrmuese të trofeve.

5 Topa të Artë

Paraqitjet individuale të Messit janë shpërblyer edhe ndërkombëtarisht. Në fakt ai e ka fituar pesë herë çmimin prestigjioz individual “Topi i Artë”, gjë të cilën deri tash e ka bërë vetëm rivali i tij i përhershëm, Cristiano Ronaldo.

Vazhdojmë...

Karriera e Messit, i cili i ka mbushur 31 vjet në muajin qershor, nuk ka përfunduar ende. Madje argjentinasi në këtë fillim të sezonit ishte i shkëlqyeshëm, duke realizuar 11 gola në 10 ndeshje në mes La Ligas dhe Championsit. Numra të një fenomeni. Numra që mund t’i bëjë vetëm Messi. Prandaj edhe Barcelona e feston çdo vit 16 tetorin. /Zëri/