Dyert çel!

Sport October 17, 2018 - 14:22
Image

Portieri i Prishtinës, Visar Bekaj, aktualisht është përfaqësuesi i vetëm i Superligës së Kosovës në Përfaqësuese. 22 reprezentues të tjerë vijnë nga klubet e tjera të shteteve evropiane. Sipas përzgjedhësit Bernard Challandes kjo nuk do të thotë se kampionati ynë vendor nuk është cilësor. Por, kjo vjen si rezultat i një konkurrence profesionale. Zvicerani i siguron futbollistët e kampionatit tonë se dyert e përfaqësueses kosovare janë të hapura për të gjithë ata

Pas largimit të Albert Bunjakit dhe ardhjes së Bernard Challandesit në krye të shtabit teknik kanë ardhur edhe disa ndryshime në Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Por, ajo që nuk po ndryshon dot as në epokën e Challandesit është fakti që futbollistët e Superligës së Kosovës vazhdojnë ta kenë thuajse të pamundur inkuadrimin në Përfaqësuese.

Futbollistët kosovarë që luajnë në klubet e huaja evropiane vazhdimisht ftohen në ekipin tonë përfaqësues.

Si në kohën e Bunjakit, ashtu edhe tani në kohën e Challandesit lojtarët e klubeve kosovare nuk po arrijnë të zënë vend në përfaqësuese.

Dikur ftohej veç një portier nga Superliga kosovare si rezervist i tretë, kurse kohëve të fundit po ftohen nga dy portierë prej Superligës, të cilët nuk arrijnë t’ia zënë vendin në formacionin bazë Samir Ujkanit, që vjen nga “diaspora”.

Ndërsa për lojtarët e tjerë të kampionatit vendor Përfaqësuesja vazhdon të mbetet ëndërr. Kohëve të fundit Kosova po arrin rezultate pozitive në Ligën e Kombeve.

Por disa nga trajnerët vendorë mendojnë që kampionati vendor mund t’i kontribuojë përfaqësueses me ndonjë futbollist kualitativ që nuk dallon shumë për nga cilësia me ata që po vijnë prej klubeve të huaja.

Ismet Munishi është trajneri që kohëve të fundit ka nisur të merret me këtë temë edhe në kohën e tashme të Challandesit.

Por, për këtë të fundit bazë e përzgjedhjes së futbollistëve mbetet konkurrenca në mes lojtarëve.

“Për mua nuk është problem liga jonë, por problem i vetëm është konkurrenca”, thotë zvicerani.

“Nëse nuk marr lojtarë nga liga e Kosovës nuk do të thotë se kjo nuk është cilësore ose nuk është më e mira në Evropë. Është vetëm sepse kam zgjidhje mjaft të mira në të gjitha pozitat në klubet e tjera për momentin. Por shpresoj që një lojtar shumë i mirë do të luajë në Kosovë dhe është më i mirë se një që luan jashtë. Prandaj dyert janë të hapura për të gjithë, pse jo”, ka theksuar Challandes.

Ky i fundit kohëve të fundit po e fton vetëm portierin e Prishtinës Visar Bekajn në Përfaqësuese, por edhe Faton Malokun, i cili deri vonë ishte pjesë e Superligës kosovare, kurse kohëve të fundit po luan në Shqipëri për Kukësin.

Siç dihet, vazhdimisht në Shqipëri shkojnë për të luajtur shumë yje nga Superliga e Kosovës.

Ata gjithnjë depërtonin në gara evropiane me klubet shqiptare.

Por, as ata nga kampionati shqiptar nuk merrnin ftesa nga Kosova.

Ndërsa kohëve të fundit rruga drejt përfaqësueses për kosovarët që luajnë në Shqipëri është bërë diç më e lehtë.

Ish-përzgjedhësi Albert Bunjaki kritikohej nga disa trajnerë vendorë për diskriminim të futbollistëve nga kampionati kosovar për diskriminim të klubeve tona, por edhe për injorim të futbollit të brendshëm, duke mos i ftuar as më të dalluarit brenda kufijve tanë.

Kjo mohohej nga Bunjaki, i cili disa herë ka garantuar që nuk ka bërë dallime në mes lojtarëve vendorë dhe atyre që luajnë jashtë shtetit, por parasysh e ka marrë veç cilësinë si rrjedhojë e konkurrencës. /Zëri/