Milani pëson humbje vjetore rekorde

Sport October 17, 2018 - 12:01
Detajet

Milani e ka publikuar raportin financiar për sezonin 2017/2018, ku u bë e ditur se kuqezinjtë kanë humbur shifrën rekorde prej 126 milionë eurosh brenda një viti, duke e dërguar kështu në 730 milionë euro humbjen në 14 vitet e fundit.

Deklarata e fundit e lëshuar nga Milani tregon se klubi italian ka pësuar humbje edhe më të mëdha se vitin e kaluar, kur kishin bërë të ditur në raportin vjetor se kishte humbur 53 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Milani e kishte publikuar raportin e gjashtë muajve të parë të vitit dhe kishte deklaruar humbje vetëm 22.3 milionë euro, ndërsa vitin paraprak për të njëjtën periudhe kishte deklaruar 39.3 milionë euro. Kjo lë të kuptohet se Milani ka humbur shumë para gjatë pjesës së fundit të vitit.

Që nga atëherë, Milani e ka ndryshuar pronësinë, dhe tani kompania amerikane Elliot është pronari në vend të kinezit Li Yonghong, i cili nuk arriti t’i paguajë paratë e huazuara brenda afatit kohor, të cilat i kishte marrë në vitin 2016 për ta blerë klubin nga Silvio Berlusconi.

Që kur ka marrë pronësinë, Elliot ka bërë ndryshime të shumta në Milan. Ivan Gazidisi është rekrutuar nga Arsenali për ta marrë pozitën e drejtorit ekzekutiv, ndërsa edhe legjendat e klubit, Paolo Maldini dhe Leonardo, gjithashtu kanë marrë pozita drejtuese.

Humbjet vjetore rekorde të Milanit për vitin e fundit janë shumë të mëdha në krahasim me rivalët e qytetit, Interin, të cilët kanë zbuluar se kanë humbur 18 milionë euro për po të njëjtin vit.