Kështu i mbylli Kosova kualifikimet e Evropianit!

Sport October 16, 2018 - 18:54
Detajet

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës i ka mbyllur kualifikimet për Kampionatin Evropian 2019 me humbje, shkruan Zeri.info.

“Dardanët e Rinj” janë mposhtur të martën mbrëma nga Izraeli U-21 me rezultat 3:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Itztadion Ramat Gan” të Tel Avivit, e fundit për ta në kuadër të Grupit 5.

Vendësit kanë kaluar në epërsi në minutën e 10-të me Qaiis Ghanem, ndërsa i njëjti futbollist e shënoi edhe golin e dytë të ekipit të tij dhe njëherësh personal në minutat shtesë të pjesës së parë.

Image

Ndërkaq, vulë këtij takimi i dha Yosef Raz Meir me golin e realizuar në minutën e 72-të.

Skuadra e Rafet Prekazit megjithatë doli me kokën lart pasi kjo ishte hera e parë që po merrte pjesë në kualifikime të tilla dhe në xhirot e para ishte në pjesën e epërme të tabelës.

Verdhekaltrit e rinj e mbyllën këtë turne në pozitën e parafundit, atë të pestë me 12 pikë të grumbulluara nga 10 ndeshje të zhvilluara, duke përfshirë këtu 3 fitore, 3 barazime e 4 humbje me 9 gola të shënuar e 12 të pësuar. /Zëri/