Nëntori i Tretë!

Sport October 16, 2018 - 13:00
Image

Përfaqësuesja e Kosovës i ka përpara dy finale për ta kaluar grupin, në të cilin gjendet në Ligën e Kombeve. Verdhekaltrit i lëshuan dy pikë nga duart në duel me Ishujt Faro, por vazhdojnë të jenë liderë të Grupit 3 në Ligën D. “Dardanëve” mund t’u mjaftojë një pikë në dy ndeshjet e fundit për të shkuar tutje, por mund të mos u kryejnë punë as tri pikë.“Zëri” ua sjell matematikat që e çojnë Kosovën në gjysmëfinale të këtij kompeticioni. “Dardanët” i pret “Nëntori i Tretë”. Ata duan të festojnë në muajin e shenjtë të shqiptarëve

Përfaqësuesja e Kosovës e bëri një “hap fals” të dielën mbrëma duke barazuar me Ishujt Faro me rezultat 1:1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të Grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Verdhekaltrit nuk e shfrytëzuan “kiksin” e Azerbajxhanit ndaj Maltës, pasi një fitore eventuale do t’i afronte shumë me gjysmëfinalen e këtij kompeticioni.

Sidoqoftë, “Dardanët” duhet të jenë të lumtur që rivali kryesor, Azerbajxhani nuk fitoi pasi do t’ua prishte shumë llogaritë, shkruan sot gazeta Zëri.

Megjithatë, skuadra e Bernard Challandes ka ende gjasa të mira për të shkuar tutje pasi gjendet në vendin e parë në grup me 8 pikë nga 4 ndeshje, kurse Azerbajxhani ka 6 pikë e Malta 4, e cila po ashtu mbetet në lojë, të paktën sa ka gjasa matematikisht.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit në nëntor, muaj i shenjtë ky për shqiptarët, në të cilin synon ta pasurojë festën.

Image

Matematikat e Kosovës

Kosovën mund ta dërgojë në fazën tjetër vetëm një pikë, por mund të mos i mjaftojnë as tri pikë.

Samir Ujkani me shokë mund të shkojnë tutje me një pikë nëse humbin nga Malta dhe barazojnë me Azerbajxhanin, me kusht që ky i fundit të humbë me Ishujt Faro dhe në këtë rast të barazojë me Kosovën në ndeshjen e fundit.

Verdhekaltrit mund të shkojnë tutje edhe me dy pikë – dy barazime, tri pikë – një fitore e një humbje, katër pikë – një fitore e një barazim dhe normalisht gjashtë pikë – dy fitore.

Por ata mund të mbeten pa kualifikim edhe, në rastin më të keq, nëse i marrin tri pikë.

Pra nëse Kosova e mund Maltën në udhëtim dhe humb nga Azerbajxhani, do ta mbyllte fazën e grupeve me 11 pikë.

Nga ana tjetër, nëse Azerbajxhani do t’i grumbullonte 6 pikë, pra duke e mundur Kosovën dhe Ishujt Faro, do ta linte Kosovën pa kualifikim pasi do t’i bënte 12 pikë.

Pra, ndeshja me Maltën për Kosovën do të vendosë shumëçka, kurse ajo e fundit me Azerbajxhanin gjithçka.

Sipas të gjitha gjasave, ndeshja me Azerbajxhanin për Kosovën do të jetë një finale e madhe, ku edhe do të përcaktohet skuadra që do të shkojë tutje.

Kosova shihet si favorite për ta fituar grupin, njëjtë si Maqedonia, Gjeorgjia e Bjellorusia grupet e tyre përkatëse në ligën e katër.

Image

Rrahmani: 370 ditë pa humbje, në nëntor edhe dy finale

Amir Rrahmani thotë se Kosovën në muajin nëntor e presin dy ndeshje të rëndësishme, nga të cilat duhet të dalë mirë.

Qendërmbrojtësi kosovar e ka përmendur po ashtu faktin se ai me shokë nuk kanë humbur qe më shumë se një vit, një e arritur kjo e jashtëzakonshme.

“370 ditë pa humbje dhe në vend të parë. Në nëntor edhe dy finale përpara”, ka shkruar në rrjetet sociale futbollisti i Dinamo Zagrebit pas ndeshjes me Ishujt Faro.

Ndërkohë Valon Berisha i ka qetësuar shokët e skuadrës dhe tifozët, duke thënë se pavarësisht barazimit të fundit Kosova gjendet në vendin e parë dhe po shkon me hapa të sigurt drejt arritjes së objektivave.

“Nuk duhet të harrojmë se jemi të parët në grup, ndeshjet si mysafirë janë të vështira. Vazhdojmë”, ka thënë motori i mesfushës së Kosovës.

Image

Kurse trajneri Challandes është shprehur se momentalisht nuk po mendon për kualifikimin eventual të ekipit të tij, sepse është i fokusuar te ndeshja e ardhshme, ajo ndaj Maltës në udhëtim ku mund të ndahet “shapi prej sheqerit”.

Kosova po merr pjesë për herë të parë në Ligën e Kombeve, format i ri i UEFA-s që po ashtu mbahet për herë të parë.

Nëse e mbyll fazën e grupeve në vendin e parë, herën tjetër do të ngrihet në Ligën C, ku momentalisht po merr pjesë Kombëtarja shqiptare. /Zëri/

Liga e Kombeve

Liga D – Grupi 3

Tabela

1. Kosova            4   8

2. Azerbajxhani   4   6

3. Ishujt Faro       4   4

4. Malta               4   2