Sytë kah Prizreni!

Sport October 16, 2018 - 12:57
Image

Pas dy ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në Ligën e Kombeve, këtë mesjavë do të rikthehet Superliga e Kosovës në futboll.

Dy ndeshje do të zhvillohen të martën e dy të tjera të mërkurën në kuadër të xhiros së 10-të të Superligës, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo xhiro do të nisë me duelet e sotme ndërmjet Lirisë me Trepçën ’89 dhe Flamurtarit me Drenicën.

Prizrenasit janë në kërkim të fitores së katërt për t’i ikur sadopak fundit të tabelës.

Mirëpo Bardhezinjtë nuk do të kenë punë aspak të lehtë pasi përballë do ta kenë ish-kampionin Trepça ’89, që po ashtu është në kërkim të grumbullimit të sa më shumë pikëve për t’i arritur objektivat.

Pra, në këtë lojë të gjitha rezultatet janë të mundshme.

Ndërkohë, Flamurtari do të mundohet ta vazhdojë në shtëpi serinë pozitive të këtij sezoni në derbin Kuqezi ndaj Drenicës.

Kjo e fundit është skuadër e papërshtatshme dhe e paparashikueshme, prandaj do të shkojë në kryeqytet për ta nxjerrë të paktën një pikë.

Ndërkaq të mërkurën kampionia aktuale Drita do ta presë Ballkanin dhe shihet favorite për t’i mbajtur në shtëpi tri pikë.

Kurse Llapi pa trajnerin Bylbyl Sokoli dhe një pjesë të madhe të Kryesisë do ta gostitë ekipin në formë, Gjilanin, në një ndeshje që pritet të jetë mjaft interesante.

Gjilanasit nuk do të shkojnë në “Zahir Pajaziti” me flamur të bardhë, assesi.

Shtyhen dy ndeshje

Komisioni i Garave i Superligës, me kërkesë të klubeve, ka vendosur që dy ndeshjet e javës së 10-të, Feronikeli – Prishtina dhe KEK-u – Ferizaj, të shtyhen për 7 nëntor për shkak të angazhimit të lojtarëve të këtyre klubeve me ekipet përfaqësuese të Kosovës.

Dueli ndërmjet “Niklit” dhe Bardhekaltërve konsiderohej si derbi i kësaj xhiroje, por futbolldashësit duhet të presin edhe disa javë për ta parë këtë superndeshje. /Zëri/

Superliga – Java e 10-të

E martë

14.45 Liria – Trepça ’89

14.45 Flamurtari – Drenica

E mërkurë

14.45 Drita – Ballkani

14.45 Llapi – Gjilani

KEK-u – Ferizaj (është shtyrë)

Feronikeli – Prishtina (është shtyrë)