Prej Bayernit, drejt ligave të ulëta angleze

Sport October 16, 2018 - 12:53

Dale Jennings kishte “botën nën këmbët e tij” kur iu bashkua Bayern Munichut për 2 milionë funte. Por, ai vuajti që të stabilizohej në Gjermani dhe u largua në vitin 2013 pa asnjë paraqitje në ekipin e parë. Pas pesë vjetësh Jennings ka bërë një fillim të ri në karrierën e tij, duke nënshkruar me Runcornin. Ai e pranon se ishte mjaft i papjekur gjatë karrierës së tij. Jennings ka goditur rrallëherë topin pasi që ishte liruar nga kontrata me MK Dons para tre vjetësh

Dale Jennings ende e mban në mend ditën kur shkoi te Bayern Munichu, ose në veçanti Dietmar Hamann para derës së tij në vitin 2011, shkruan sot gazeta Zëri.

Hamann i kishte thënë fjalë të mira për një adoleshent të Tranmere Roversit drejtorit sportiv të Bayernit Christian Nerlinger, i cili ishte në kërkim të Franck Riberys të ardhshëm.

I bindur, Nerlinger dërgoi Hamannin për të nënshkruar marrëveshjen. Jennings, një djalë që ishte tifoz i Liverpoolit, nënshkroi kontratën.

Pse të mos e bënte? I kushtoi Bayernit 1.8 milion funte, por gjigandi gjerman mendoi se kishte mposhtur garën e klubeve të Premierligës për të nënshkruar me futbollistin.

Sidoqoftë, Jennings vuajti që të stabilizohej në Gjermani dhe gjithashtu vuajti për të mësuar gjuhën.

Pasi që ndihej larg shtëpisë ai e ndërpreu kontratën e tij në vitin 2013, duke u larguar nga klubi pa asnjë paraqitje në ekipin e parë.

Tani pas pesë vjetësh dhe një kohe mjaft të gjatë në kërkim të rrugës së tij Jennigs e ka bërë një fillim të ri në karrierën e tij, duke iu bashkuar klubit të ligave të ulëta angleze, Runcorn Town.

Që prej nënshkrimit me Runcornin para disa javësh Jennings ka luajtur tri herë dhe ka shënuar një gol.

Fusha e Runcornit është larg kapacitetit prej 75.000 tifozësh të “Allian Arena”, por kjo është pikënisja e tij.

“Më kujtohet kur vesha fanellën e Bayernit për herë të parë, duke vrapuar në stërvitje, duke shikuar poshtë dhe duke qeshur me veten, duke u çuditur”, deklaron Jennings, tashmë 25-vjeçar. “Unë thosha ‘si ndodhi kjo?’ Isha i papjekur në atë kohë. Unë thjesht mendoja ‘kjo do të zgjasë përgjithmonë’. Mendova se isha më mirë, por nuk isha. Askush s’është më i madh se futbolli. Tani e kam të qartë këtë gjë në kokë. Ju e mundoni veten ndonjëherë. Ju mendoni ‘çka nëse do të veproja ndryshe, çka nëse do të kisha tjetër sjellje?’ Jam më i pjekur tani”, shton ai.

Image

Me 18-vjeçarin Jadon Sancho, që është duke shkëlqyer në Bundesligë me Borussia Dortmundin, sulmuesi s’mund të ndalet së menduari për atë se çka do të mundë të ndodhte ndryshe.

Runcorn është një klub i lezetshëm, i drejtuar nga një trajner si Chris Herbert e që është i lumtur për t’ia ofruar Jenningsut mundësinë e re në futboll.

Pasi që njëherë kishte “botën nën këmbët e tij” dhe pas aventurave të dështuara në Barnsley dhe MK Dons ai ishte në dyshim nëse do të arrinte të bënte diçka në futboll.

gulmimi i tij e bëri të veten, duke ia kthyer motivimin. Si rezultat i kësaj njeriu që dikur kishte për mentor fituesin e Kupës së Botës me Gjermaninë, Philipp Lahm, ka goditur pak herë topin në tre vjetët e fundit.

Jennings është baba i tre fëmijëve, Mila, Meadow dhe Noah dhe së fundmi ishte detyruar të marrë punën e tij të parë si magazinier në “Amazon”.

Ishte e dashura e tij Abby që e mbështeti gjatë kohërave të vështira.

Tani topi ka kaluar tek ai dhe qëllimi i tij është që ta shpërblejë familjen e tij duke iu kthyer futbollit.

“Kur kaloni nëpër kohëra të vështira ju e shihni se kush është aty për ju. Unë pata një kohë të tmerrshme. Nuk mund të dilja jashtë shtratit. Po vuaja që të motivoja veten. Nuk mund ta përballoja presionin. Pa të (Abbyn) unë nuk do të isha këtu duke luajtur sot. Unë kisha shumë presion mbi vete. Ne flisnim shumë për këtë. Çdo ditë. Kishte edhe lot. Ajo qëndroi krah meje. Këtu tregohet se cila është familja e vërtetë dhe miqtë e vërtetë dhe unë e kam parë këtë”, shprehet ai.

“Tre vjet larg futbollit janë të shumta. Por, njerëzit më kanë nënçmuar shumë më herët. Unë u largova nga Liverpooli në moshën 15-vjeçare pasi qëndrova aty për tetë vjet dhe shumë njerëz nuk mendonin që do të kthehesha. Unë u ktheva më i fortë, shkova te Tranmere dhe pjesa tjetër është histori. Unë jam nënçmuar më herët dhe jam nënçmuar përsëri. Për mua këto thjesht ia shtojnë benzinën zjarrit tim. Më pëlqen t’ua vërtetoj njerëzve të kundërtën dhe dua ta bëj për familjen time. Do të jap gjithçka që kam”, thotë Jennings.

Ai nuk pendohet për lëvizjen e dështuar në Munich.

Përtej çdo gjëje, e ndihmoi atë që të ikte nga një turmë e keqe në Liverpool, që e kërcënonte atë për të ndjekur drejtime krejt të ndryshme në jetën e tij. Ai insiston se papjekuria në rininë e tij i takon së kaluarës.

Jennings shkoi prej qytetit të Liverpoolit në drejtim të Munichut në një lëvizje përrallore, që dukej më shumë si një ngjarje e “PlayStation”-it sesa realiteti.

Tani ai e ka prekur butonin për një pikënisje të re, duke filluar gjithçka nga fundi, por ende duke u munduar që të arrijë sa më lart. /Zëri/