Koscielny kritikon Deschampsin dhe pensionohet nga kombëtarja

Sport October 16, 2018 - 12:52

Laurent Koscielny ka vendosur të pensionohet nga kombëtarja e Francës. Mbrojtësi i Arsenalit kishte paralajmëruar gjatë vitit të kaluar se do të pensionohej pas Kupës së Botës dhe 33-vjeçari thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht se ai mbeti jashtë Botërorit për shkak të një lëndimi. Ai gjithashtu kritikoi edhe trajnerin e Francës, Didier Deschamps

Mbrojtësi i Arsenalit, Laurent Koscielny, ka vendosur të pensionohet nga përfaqësuesja franceze, ndërkohë që e kritikoi përzgjedhësin Didier Deschamps për trajtimin ndaj tij gjatë kohës së shërimit nga lëndimi, shkruan sot gazeta Zëri.

Mbrojtësi pësoi një lëndim në Akil në ndeshjen gjysmëfinale të Arsenalit në Ligën e Evropës ndaj Atletico Madridit dhe mbeti jashtë Kupës së Botës, kompeticion të cilin në fund e fitoi Franca.

33-vjeçari thotë se shumë njerëz e dëshpëruan atë gjatë kohës sa ishte i lënduar.

“Ndihesha sikur më ngulën thikën pas kokës. Kur jeni në formë të mirë ju keni shumë miq. Kur lëndoheni, pas një periudhe të caktuar ju harroheni”, ka deklaruar Koscielny.

“Ai (Deschamps) më telefonoi njëherë për ditëlindjen time në shtator. Përndryshe jo. Shumë njerëz më kanë zhgënjyer. Jo vetëm trajneri”, shtoi ai.

Koscielny kishte paralajmëruar gjatë vitit të kaluar se e ka në plan pensionimin nga kombëtarja pas Kupës së Botës dhe thotë se mungesa e tij në këtë garë nuk ia ka ndryshuar mendjen.

Por, ai gjithashtu thotë se mungesa në “Rusia 2018” do t’i mbetet gjithmonë peng në karrierën e tij.

Ai është paraqitur 51 herë për Francën, duke bërë debutimin e tij në nëntor të vitit 2011 dhe mori pjesë në kampionatet evropiane të viteve 2012 dhe 2016, ndërsa gjithashtu ishte pjesë edhe e botërorit “Brazili 2014”.

“Lëndimi është një gjë, triumfi në Kupë të Botës është një gjë tjetër. Mendoj se fitorja më ka dëmtuar më shumë psikologjikisht sesa lëndimi im. Unë mendoj se i kam dhënë ekipit të Francës atë që kam mundur. Për mua lëndimi im nuk ka ndryshuar asgjë. Kapitulli te “të kaltrit” ka marrë fund, unë gjithmonë do të jem përkrahës i ekipit francez, por është e sigurt se unë nuk do të vesh më fanellën e kaltër. Unë kam një qëllim të ri në mendje, kjo do të jetë Laurenti para dhe pas lëndimit. Unë do të vazhdoj me Arsenalin, unë dua të kthehem shpejt. Unë dua të luftoj”, është shprehur francezi, i cili paraqitjen e tij të fundit me Francën e kishte bërë në mars, në fitoren 3:1 ndaj Rusisë, në një ndeshje miqësore.

Koscielny tregon edhe për vështirësitë që ai pati gjatë kohës sa e shikonte Francën në Kupën e Botës.

“Kupa e Botës do të mbetet një njollë e zezë në karrierën time. Lëndimi ishte i vështirë për t’u pranuar. Rezultati ishte edhe më i vështirë sepse ata e fituan Kupën e Botës. Unë kisha anën time egoiste. Unë i them vetes që mund të isha pjesë e një aventure dhe të fitoja kupën. Dhe unë do ta kem këtë në një cep të kokës sime për pjesën e mbetur të jetës. Është e vështirë dhe askush s’mund të më kuptojë. Unë isha shumë i lumtur për ta, por gjithashtu i revoltuar. Ju s’mund të ndiheni kampion bote si 60 milionë francezët e tjerë. Është një ndjenjë e çuditshme që gjatë turneut unë doja që ata të kualifikoheshin, por në të njëjtën kohë doja që ata të humbnin. Kjo ishte ndjenja ime në atë kohë”, është shprehur 33-vjeçari. /Zëri/