Emery, revolucionari i Arsenalit

Sport October 15, 2018 - 13:25
Detajet

Unai Emery është duke drejtuar një revolucion te Arsenali dhe i ka fituar nëntë ndeshjet e fundit. Ish-trajnerit të Paris Saint-Germainit i pëlqen ritmi i lartë në stërvitje dhe konkurrenca e ashpër. Strategu spanjoll gjithashtu i ka ndalur pijet me sheqer në fushat stërvitore, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Unai Emery e ka treguar mjaft shpejt autoritetin e tij te Arsenali. Nëntë fitoret e fundit e kanë çuar Arsenalin në vendin e katërt në tabelën e Premierligës, ndërsa në fitoren e fundit 5:1 ndaj Fulhamit, tifozët kënduan “Arsenali ynë është kthyer”. E përditshmja angleze “Daily Mail” sjell revolucionet që Emery ka bërë “Te Topçinjtë” qysh prej ardhjes së tij në maj

Stërvitjet intensive

Intensiteti i spanjollit në sesionet e përpikta stërvitore ndoshta është ndryshimi më i madh prej epokës së Arsene Wengerit. Stërvitjet janë të nivelit të lartë dhe me një konkurrencë të ashpër. Emery beson se stërvitjet duhet të jenë pasqyrë e ndeshjeve. Ish-trajneri i Sevillas e di se lojtarët e tij duhet të kenë një fitnes të lartë kardiovaskular për të luajtur lojën me një presion të madh siç e kërkon ai. 46-vjeçari ka paraqitur edhe disa ndryshime të tjera të rëndësishme. Stërvitjet shpesh mbahen në mesditë sepse Emery mendon se mbajtja e stërvitjeve afër orarit të ndeshjeve e ndihmon paraqitjen në ditën e sfidës.

Ishte një shok i vërtetë për lojtarët që janë mësuar të kenë stërvitje në orën 10:00, në mëngjes, me Wengerin, por pas nëntë fitoreve radhazi ata janë mësuar me këtë ide. Arsenali stërvitet në “Emirates” një ditë para ndeshjes, një tjetër marifet për të mbajtur kondicionin e ndeshjes gjatë stërvitjeve. Pas udhëtimit drejt Azerbajxhanit për t’u përballur me Qarabagun në Ligën e Evropës para dy javësh, që ishte ndeshja e parë evropiane në udhëtim për Emeryn në krye të Arsenalit, lojtarëve u mundësua një pushim të premten para stërvitjes së të shtunës. Wenger kishte në dispozicion lojtarët në ditën pasuese pas ndeshjeve në garat evropiane. Emery nuk e përpilon formacionin e tij deri në mëngjesin e ditës së ndeshjes, derisa lojtarëve u tregohej para tre ditësh formacioni në kohën e Wengerit. Ai mendon se lënia e skuadrës së tij në mëdyshje e ndihmon intensitetin e stërvitjeve derisa lojtarët luftojnë për të zënë vendin në ekip.

S’ka më “Djali i mirë”

Wenger e kishte kthyer klubin londinez në një atmosferë të qetë. Ai besonte se kjo do ta ndihmonte ekipin para ditës së ndeshjes. Ngurrimi i francezit për t’i nxehur konfrontimet me lojtarët e përforcuan këtë qasje, por stërvitja është shumë më pak flladitëse nën drejtimin e Emeryt. Spanjolli qëndron afër numrit dy të tij, Juan Carlos Carcedo dhe trajnerit të ekipit të parë, Pablo Villanueva. “Ai është shumë i largët me pjesëtarët e tjerë të stafit në fushën e stërvitjes”, thotë një zyrtar i Arsenalit. Është një lloj frustrimi për ata që janë mësuar me qasjen më të hapur të Wengerit. Ndoshta moszotësia e plotë e tij me anglishten ka të bëjë me këtë gjë. Ai është duke vazhduar me mësimet e anglishte, kështu që mund të shohim edhe qasje të tjera në ekipin e tij. Por, në shumë mënyra, personaliteti si një lloj biznesmeni i Emeryt është ajo që i duhej Arsenalit. Për dallim nga paraardhësi i tij, Emery është më i hapur për biseda të sinqerta. Ai kishte telefonuar dy lojtarë të tij gjatë verës për t’iu thënë se janë tepricë në skuadër. Kur Aaron Ramsey trokiti në derën e tij më herët gjatë këtij edicioni për të folur për rolin e tij, Emery e konfrontoi mjaft mirë bisedën e çuditshme. Vendimi i trajnerit për të zëvendësuar Ramsyn dhe Mesut Ozilin gjatë këtij edicioni tregon se tek ai nuk ka lojtarët të paprekshëm.

Vëmendja ndaj detajeve

Emery është shumë më i përfshirë në trajnimin direkt sesa Wenger. Lojtarët i kanë gjetur më angazhuese dhe më freskuese stërvitjet me spanjollin. Kishte një ndjesi që trajnimi ishte kthyer në rraskapitës gjatë kohës së Wengerit. Askush nuk po e thotë se kjo është çështja e përmirësimit. Sesionet stërvitore taktike mund të jenë të lodhshme dhe që marrin kohë, por vëmendja e Emeryt ndaj detajeve ka impresionuar skuadrën. Ai kalon më shumë kohë duke u marrë me taktikat e kundërshtarit sesa Wengeri. Lojtarët ishin habitur me nivelin e informatave që u ishte dhënë para ndeshjes së parë sezoanle ndaj Manchester Cityt, pas një plani të detajuar për të ndalur ekipin e Pep Guardiolas. Kjo gjë nuk do të kishte ndodhur kurrë me Wengerin.

Yjet e sulmit në top-formë

Pas ardhjes së tij në “Emirates” njëra prej zgjidhjeve të tij ishte edhe kthimi në formë i Pierre-Emerick Aubameyangut dhe Alexandre Lacazettes. Klubi investoi plot 100 milionë funte gjatë sezonit të kaluar për dy sulmuesit dhje Emeryt i është thënë që t’i kthejë ata në një tandem. Dyshja kanë realizuar 11 gola deri më tani këtë edicion derisa puna e madhe e Emeryt në stërvitje i ka dhënë frytet e para. Me financat e shkurtuara Emery pritet t’i përmirësojë lojtarët që ka në dispozicionin para se të transferojë lojtarë të rinj të shtrenjtë. Për më tepër, ai mban takime të rregullta me trajnerët e akademisë për të marrë informata mbi talentet e klubit.

Stili i lojës

Emery dëshiron që të gjithë lojtarët e tij t’i përshtaten stilit të lojës së tij me posedim të topit. Topi lëviz prej portierit, përmes mbrojtjes dhe deri te sulmuesit sa më sigurt që është e mundshme. Nuk është vetëm një pasim sa për të thënë. Ka diçka më shumë në lojën e bazuar me posedim të topit të Emeryt, diçka që nuk mund të thuhet për ekipet e Wengerit, që shpeshherë u mungonte forca.  Goli brilant i Arsenalit kundër Fulhamit në ndeshjen e fundit, që u finalizua nga Ramsey, e tregon qasjen e Emeryt.

Ndalimi i sheqerit

Emery i ka ndaluar pijet me sheqer në fushat stërvitore të klubit.  Një lojtar gjatë kohës së Wengerit kishte mbajtur një shishe të “Coca-Cola”-s. Wenger e lejoi këtë. Ndërkohë për trajnerin e ri të Arsenalit ju keni përshtypjen se një gjë e tillë nuk do të falej./Zëri