Prishtina përshëndetet nga garat evropiane

Sport October 14, 2018 - 16:09

Hendbollistët e Prishtinës e kanë humbur edhe ndeshjen e dytë me skuadrën nga Ukraina, ZNTU-ZAB Zaporozhye.

Ndeshja e kthimit e rrethit të dytë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup) u luajt të dielen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Zaporozhye e fitoi ndeshjen e dytë me rezultat 36:25. Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:13 në të mirë të ukrainasve.

Ndeshja e parë mes Prishtinës e Zaporozhyes është luajtur të shtunën mbrëma në kryeqytet, ndërsa ukrainasit fituan me rezultat 32:19.

Të dielen Prishtina u paraqit pak më mirë, por jo mjaftueshëm sa për të evituar një humbje tjetër të lartë.

Zaporozhye vlerësohej favorit para ndeshjeve dhe ashtu si pritej kalon në rrethin tjetër të garave.

Oltion Beshiri ishte më efikasi me 7 gola te Prishtina. Gjashtë herë realizoi Lindrit Fetahu.

Ievgen Zhug me 11 gola udhëhoqi Zaporozhyen.

Prishtina – ZNTU-ZAB Zaporozhye 25:36 (13:17)

Prishtina: Ademi, Krasniqi, Basholli 1, Abazi 3, Bajqinovci 3, Fetahu 6, Beqiraj, Visoka 2, Hoxha, Agushi, Murtezi, Beshiri 7, Gjuka, Kastrati, Gubetini 2, Gashi 1