Një agjent serb në mesin e të akuzuarve për mashtrim në futbollin belg

Sport October 12, 2018 - 14:36
Detajet

Një agjent sportiv me ndikim nga Serbia është në mesin e 19 të ndaluarve në Belgjikë, nën akuzat për mashtrim financiar dhe kurdisje të ndeshjeve.

Dejan Velkoviq, agjent i klubit belg të futbollit Sporting Lokeren, u arrestua të premten, transmeton REL.

Velkoviq akuzohet për mashtrim financiar dhe përpjekje për të kurdisur një ndeshje, për të shpëtuar ekipin KV Mechelen nga rënia në ligë, sezonin e kaluar, por pa sukses.

Ai ka pasur kontrata me shumë klube futbolli në Belgjikë, përfshirë Anderlecht, Club Brugge dhe Standard Liege.

Rasti i tij bën pjesë në disa hetime të gjera që po bëhen për mashtrim të dyshuar, evazion fiskal dhe shpëlarje parash në futbollin belg.

Hetuesit bastisën selitë e nëntë klubeve të futbollit belg këtë javë, si dhe shtëpitë e gjashtë zyrtarëve të klubeve, katër agjentëve dhe dy gjyqtarëve.

Tetëmbëdhjetë bastisje u bënë gjithashtu në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Qipro, Francë dhe Luksemburg.