E treta e vërteta!

Sport October 11, 2018 - 09:01
Detajet
Image

Llapi ka vendosur t’i ndajë rrugët me Bylbyl Sokolin. Klubi llapjan e ka shkarkuar të martën trajnerin e njohur kosovar në tentimin e tretë, pasi palët ishin ndarë shkurtimisht edhe dy herë më parë, që prej angazhimit të tij muaj më parë, shkruan sot Gazeta "Zeri".

Por, çuditërisht kryesia e klubit lajmin nuk ia ka kumtuar sy më sy trajnerit. Sokoli e ka marrë vesh që nuk është më pjesë e klubit nga “Zahir Pajaziti” vetëm nga ndihmësit e tij dhe futbollistët.

“Informatën ma kanë komunikuar bashkëpunëtorët dhe lojtarët. E respektoj vendimin”, ka qenë i shkurtër Sokoli në një bisedë me “Zërin”. Krerët e klubit ua kanë kumtuar të martën futbollistëve lajmin se Sokoli nuk është më pjesë e ekipit llapjan. Shumë shpejt ata do ta emërojnë trajnerin e ri.

Gazeta ka tentuar të martën mbrëma të kontaktojë përmes telefonit me drejtorin sportiv, Tahir Batatina, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Pas ndeshjes me Prishtinën, Sokoli ishte sulmuar fizikisht nga persona të panjohur deri tash pranë banesës së tij.

Sokoli qe një kohë i kishte prishur punët me kryesinë e klubit, respektivisht me drejtorin sportiv Batatina dhe ishte spekuluar dy herë të tjera për një largim të tij të mundshëm./ZERI