Për fitoren e dytë

Sport October 11, 2018 - 08:49
Detajet
Image

Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar të mërkurën mbrëma stërvitjen e fundit para ndeshjes me Maltën, të cilën do ta zhvillojë sonte në kuadër të Ligës së Kombeve, Liga D, shkruan sot Gazeta "Zeri"

Futbollistët Verdhekaltër dukeshin në disponim të mirë dhe e presin me padurim duelin që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 20:45. Trajneri Bernard Challandes do t’i ketë në dispozicion krejt lojtarët dhe i ka idetë e qartë rreth ekipit me të cilin do t’i kundërvihet kundërshtarit të sontëm.

Challandes: Mund të fitojmë me lojë të mirë

Challandes ka thënë se e ka studiuar mirë lojën e Maltës, të cilën e konsideron të rrezikshme në kundërsulme, por edhe të kujdesshme në repartin defanziv.

“Unë e kam studiuar lojën e Maltës. Momentalisht ky është ekipi më i mirë që e ka Malta. Ata e kanë një ekip kompakt në mbrojtje. Janë të rrezikshëm në kundërsulme dhe në harkime”, ka thënë trajneri zviceran në konferencë për shtyp.

“Këto janë aspektet që ne duhet t’i kemi parasysh. Unë dua nga ekipi ta bëjmë një lojë të mençur. Nuk dëshiroj vetëm sulm, dua të jemi të komponuar dhe të kujdesshëm në mbrojtje”, nënvizoi ai.

“Kam respekt për ekipet tjera, por jo frikë. Filozofia ime e futbollit është ta japim performancën më të mirë. Duhet ta japim maksimumin, të luajmë me zemër dhe të bëjmë lojë të mirë. Kam besim të plotë te e gjithë skuadra ime”, ka përfunduar ai.

Zvicerani është zotuar se sonte do ta vendosë në fushë ekipin më të mirë të mundshëm dhe se për momentin nuk po mendon për duelin e 14 tetorit me Ishujt Faro në udhëtim.

Ndërkaq, kapiteni Samir Ujkani pret mbështetje të madhe nga publiku kosovar sonte, për ta arritur bashkërisht qëllimin – fitoren.

“Besoj që Malta vjen këtu që të marrë pikë, siç ka bërë me Azerbajxhanin, duhet të kemi kujdes. E dimë që jemi duke luajtur kundër një ekipi me shumë eksperiencë, mosha e tyre është më e lartë se e jona. Duhet të kemi respekt dhe kujdes”, nënvizoi portieri kosovar, i cili ndërkohë e ka shprehur zhgënjimin e tij me mënyrën se si po keqtrajtohen qytetarët që duan të sigurojnë bileta për ta shikuar Kosovën në stadium dhe shitjen e tyre në të zezën.

“Jemi të kënaqur me përkrahjen e tifozëve tanë. E duam Kosovën, duam përkrahjen e tifozëve ta kemi gjithmonë. Dëshirojmë ta çojmë Kosovën sa më lartë”, ka deklaruar Ujkani.

Malta e lartëson Kosovën

Përfaqësuesja e Maltës e vlerëson lartë Kosovën. Përzgjedhësi Ray Farrugia e ka lartësuar ekipin kosovar për të cilin thotë se ka lojtarë kualitativë dhe madje e ka konsideruar si favorit për ta fituar grupin.

“Kosova ka futbollistë shumë cilësorë, por nuk do ta kenë të lehtë sepse ne kemi ardhur për fitore”, ka thënë ai. “Sikur Kosova ashtu edhe ne kemi prurje të reja dhe jemi përmirësuar dukshëm. Kam thënë se Kosova është favorite duke u bazuar në futbollistët e saj që luajnë nëpër klube të mëdha dhe unë besoj se brenda 4-5 vjetëve Kosova do ta ketë një top-Kombëtare”, vazhdoi ai.

Kosova i ka grumbulluar katër pikë në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve pasi ka barazuar me Azerbajxhanin dhe i ka mposhtur Ishujt Faro.

Ujkani me shokë do të luajnë sonte me Maltën dhe të dielën me Ishujt Faro në udhëtim. “Dardanët” synojnë ta mbyllin Ligën D në vendin e parë dhe ta kërkojnë kualifikimin direkt në Kampionat Evropian./ZERI

Image
Image
Image
Image