Derbi dhe Barça, 'San Siro' kthehet në minierë ari për Interin

Sport October 10, 2018 - 14:02
Detajet

Pritet një “San Siro” i stërmbushur, ai që të dielën më 21 tetor do të presë derbin mes Interit e Milanit. Sipas raportimit të bërë dje nga e përditshmja “Corriere dello Sport”, diçka më shumë se dy javë larg supersfidës, të dhënat e shitjes së biletave janë të jashtëzakonshme.

Nga dita e hënë kanë mbetur në gatishmëri vetëm vendet e zonave “Hospitality” (ato më të shtrenjtat) dhe ato të unazës së tretë blu, që u rezervohet tifozëve të Milanit. Asnjë dyshim, pra: më shumë se 77 mijë persona (kapaciteti është reduktuar së fundmi me disa qindra ndenjëse për shkak të disa punimeve) do ndjekin sfidën brenda qytetit.

REKORD HISTORIK SHITJESH

Tetorin e kaluar, nga Inter-Milan u regjistruan 4.864.749 euro dhe, ndonëse këtë vit të abonuarit janë më shumë (rreth 40.000), ekziston mundësia që përfitimet të jenë më të larta. Ezaurimi i biletave konfirmon zikaltrit, që fituan “titullin” e prezencave në stadium vitin e kaluar, aktualisht në krye të “klasifikimit” të spektatorëve me një mesatare prej 58.846 në secilën prej gjashtë ndeshjeve zyrtare. Primati absolut ndërkaq, mendohet se do regjistrohet në ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Interit e Barcelonës, e programuar për datën 6 nëntor. Edhe për këtë sfidë arkëtimi mendohet t’i afrohet 5 milionëve, për një total prej rreth 10 milionësh për dy ndeshjet e ardhshme.