Buffon mbron derisa të bëhet 50 vjeç!

Sport October 09, 2018 - 15:59

Gianluigi Buffon nuk ka dhënë shenja të dorëzimit përkundër moshës 40-vjeçare, shkruan Zeri.info.

Portieri i Paris Saint-Germainit ka thënë se do të mbrojë edhe 10 vjet.

Legjenda italiane ka vendosur ta vazhdojë karrierën pasi u transferua në Francë gjatë verës që shkoi.

Pas 17 vjetësh të kaluara në Juventus kampioni botëror ka thënë se planifikon të vazhdojë dhe se po e tërheqin sfidat e reja.

Ai ka refuzuar të thotë se do t’i vendosë dorëzat në gozhdë, duke mos e përjashtuar mundësinë që të mbrojë deri në moshën 50-vjeçare.

“Unë kam mësuar viteve të fundit se do të ishte gabim nëse vendos limite. Në moshën 32-vjeçare mendoja se do të luaj deri në 35 vjeç. Pas kësaj apetitet u rritën dhe e shtyva karrierën. Më pas i thashë vetes: ‘Do të ndalem kur të bëhem 38 vjeç’. Por, në moshën 38-vjeçare thashë: ‘Do të ndalem kur të bëhem 40’”, ka thënë Buggon për magazinën “L’Equipe’s Sport & Style magazine”.

“Jeta ma ka mundësuar këtë dhe tash ja ku jam sot. Nuk mund të ndalem pas 6 muajsh, një viti ose 10 vjetësh. Nuk e di për momentin se kur do të ndalem”, ka thënë Buffon. /Zëri/