Pas Mayorgas, edhe 3 gra të tjera e akuzojnë Ronaldon

Sport October 08, 2018 - 15:50
Detajet

Avokatët e Kathryn Mayorgas, e cila e ka akuzuar yllin portugez se e kishte përdhunuar në vitin 2009, kanë bërë të ditur se ata posedojnë akuza të ngjashme ndaj Ronaldos edhe nga tri gra të tjera.

Gjatë javës së kaluar ishte raportuar se një modele pretendon që portugezi e kishte përdhunuar atë në një dhomë hoteli në vitin 2009, akuzë kjo e ngjashme me atë të Kathryn Mayorgas, transmeton Gazeta Express.

Një grua pretendon se ishte përdhunuar pas një feste, një tjetër thotë se ajo ishte lënduar nga Cristiano Ronaldo dhe e treta thotë se ka arritur marrëveshje jashtë gjykatës me futbollistit. Të gjitha këto akuza janë për incidente të cilat dyshohet se kanë ndodhur në vitin 2009.

Përveç akuzës së gruas së parë, nuk është ende e qartë nëse dy gratë tjera do ta akuzojnë Ronaldon për përdhunim apo diçka tjetër, qoftë kjo ngacmim seksual apo diçka e ngjashme.

Avokati i Mayorgas, akuza e së cilës u bë publike javën e kaluar, ka thënë se ai i ka në posedim këto akuza të tri grave dhe tanimë ka biseduar me njërën prej tyre.

“Kam pasur një telefonatë me një grua e cila pretendon se ka pasur një përvojë të ngjashme me Mayorgan. Unë jam ende duke e verifikuar këtë informatë”, ka thënë avokati i Mayorgas për The Sun.

Ai nuk pranoi ta bënte të ditur emrin e gruas amerikane, mirëpo ka thënë se ai do t’ia dërgojë këto informata policisë së Las Vegasit, të cilët janë duke e hetuar akuzën e Mayorgas.

Kathryn Mayorga pretendon se është përdhunuar nga Ronaldo në tualetin e një hoteli në Las Vegas në vitin 2009. Dokumentet e marrëveshje së arritur mes Ronaldos dhe Mayorgas, sipas së cilës portugezi ia pagoi asaj 322 mijë euro për të mos folur për këtë ngjarje, duket se e vërtetojnë këtë akuzë. Për këtë arsye, nëntë vite më vonë, Policia e Las Vegasit e ka rihapur hetimin për këtë akuzë.