Krim në futboll!

Sport October 08, 2018 - 10:14
Detajet
Image

Krimi është rikthyer në futbollin kosovar. Grupet kriminale e kanë shprehur në fundjavë mllefin ndaj trajnerit Bylbyl Sokoli, i cili është sulmuar fizikisht afër banesës se tij pas ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Llapit. “Profa” ka marrë tretman në QKUK. Ai ndihet i terrorizuar, njëjtë si familja e tij dhe komuniteti sportiv. Trajneri i njohur kosovar ka marrë mbështetje nga bota e futbollit kosovar, e cila e ka dënuar rastin e lig. Nga ana tjetër, Policia e Kosovës po e heton rastin

Futbolli kosovar është përlyer përsëri, shkruan sot gazeta Zëri.

Grupet kriminale janë rikthyer në skenë, duke e bërë “detyrën” e radhës.

Fundjavën që shkoi, respektivisht të shtunën mbrëma, pas ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Llapit trajneri i njohur kosovar Bylbyl Sokoli është sulmuar fizikisht afër banesës së tij nga persona të panjohur deri më tash.

“Profa” ka pësuar lëndime të lehta dhe është goditur me një objekt të fortë, ndërsa menjëherë pas sulmit të pësuar është transportuar në QKUK, respektivisht në Repartin Emergjent, ku ka marrë tretman dhe pas disa orësh është liruar për në shtëpi.

Sokoli, trajner dhe pedagog, është terrorizuar të shtunën.

Nuk është terrorizuar vetëm ai, por edhe familja e tij dhe mbarë komuniteti i futbollit kosovar.

Ai nuk ka preferuar të flasë shumë për rastin pasi është ende i tronditur, por e ka dhënë një deklaratë të shkurtër për “Zërin”.

“Vetë fakti që u lajmërova në telefon tregon se rasti nuk është serioz dhe ju lutem të gjitha medieve të keni konsideratë”, ka thënë Sokoli. I pyetur nga “Zëri” se a e di se kush e ka sulmuar, ai nuk ka dashur të komentojë për këtë.

Bunjaku: Krimi i organizuar ka lëshuar rrënjë në futbollin e Kosovës

Nexhmedin Bunjaku, ish-refer kosovar dhe njohës futbolli, sulmin ndaj Sokolit e ka konsideruar të papranueshëm dhe shton se Federata e Futbollit të Kosovës duhet të tregohet më syçelë. Sipas tij, krimi i organizuar ka lëshuar rrënjë në futbollin e Kosovës.

“Krimi i organizuar në futbollin e Kosovës është në veprim. Ka kohë që është alarmuar se futbolli i Kosovës është i drejtuar në rrugën e gabuar, i drejtuar në këtë rrugë nga drejtues të gabuar – prijësit e FFK-së. Të gjitha degradimet (videoskandalet, trukimet, tregtia me biletat e ndeshjeve të Përfaqësueses, incidentet dhe së fundmi sulmet fizike) që po ndodhin para syve të prijësve të FFK-së dhe mosndërmarrja e hapave konkretë prej tyre për parandalimin e këtyre dukurive dëshmon qartë se krimi i organizuar ka lëshuar rrënjë në futbollin e Kosovës dhe atë nga FFK-ja”, ka thënë Bunjaku për “Zërin”.

Sipas tij, asgjë nuk po ndodh rastësisht në futbollin e Kosovës e as skenari i fundit – sulmi ndaj trajnerit më të mirë të Kosovës.

“Sulmi i ulët dhe tinëzar mbi ‘Profën’ vetëm sa dëshmon se krimi i organizuar në futbollin kosovar e ka mbërritur kulmin. Të sulmohet një pedagog, një trajner i trofeshëm, një veprimtar që dha shumë në pavarësimin e futbollit të Kosovës nga ai serb është akti më i ulët dhe më i turpshëm. Uroj që Sokoli të jetë i fortë dhe ta përballojë këtë akt çnjerëzor, i cili është shumë më i rëndë se sulmet që bëheshin në sportin kosovar nga policia serbe. Ndihuni krenar për punën tuaj si pedagog dhe trajner dhe vazhdojeni misionin tuaj për të mirën e futbollit, ndërsa autorët e këtij krimi dhe të skenarëve të këtij lloji herët a vonë do të japin përgjegjësi. Nuk jeni i vetëm ‘Prof’”, ka përfunduar Bunjaku.

Munishi: Ky gjest duhet të dënohet ashpër

Edhe trajneri Ismet Munishi ka reaguar pas sulmit ndaj kolegut të tij. Sipas trajnerit të deridjeshëm të Besës, sulmi ndaj trajnerit të suksesshëm kosovar duhet të dënohet.

“E përkrah kolegun, ky gjest duhet të dënohet ashpër nga komuniteti i futbollit. Më vjen shumë keq për ‘Profën’”, është shprehur Munishi.

Në mbështetje të “Profës”

Bota e futbollit kosovar e ka dënuar ashpër sulmin ndaj Sokolit, të cilin e ka konsideruar të ligë dhe të shëmtuar, ndërkohë që trajnerë, njohës futbolli, futbollistë dhe njerëz të tjerë të futbollit kanë kërkuar nga organet e drejtësisë të gjinden fajtorët dhe ta marrin dënimin e merituar.

Ndërkohë, gjatë fundjavës kanë reaguar edhe dy klubet, Llapi dhe Prishtina. Llapjanët e kanë konsideruar këtë si një akt qyqar, që sipas tyre përveçse e ka dëmtuar “Profën” si individ, e ka dëmtuar edhe mbarë futbollin e Kosovës.

Ata shpresojnë që organet gjyqësore sa më shpejt ta zbardhin rastin në fjalë, kurse si klub i dëshirojnë shërim të shpejtë dhe kthim sa më të shpejtë trajnerit të tyre.

Kurse me ish-trajnerin e saj Bylbyl Sokolin, i cili u sulmua në hyrje të banesës së tij, është solidarizuar edhe FC Prishtina.

Bardhekaltrit ndiejnë keqardhje për sulmin ndaj Sokolit, ndërkohë që ftojnë organet gjegjëse t’i zbardhin akterët kushdo qofshin ata dhe të vihen para drejtësisë.

Sipas tyre, është i papranueshëm, i dënueshëm, gati barbar dhe tinëzar sulmi ndaj një punëtori sportiv, pedagogu, trajneri dhe tek e fundit një prindi para banesës së tij.

Edhe prishtinasit i ftojnë organet gjegjëse, duke filluar nga vetë Federata e deri tek organet shtetërore që të mos e neglizhojnë këtë rast, por ta zbardhin atë dhe akterët të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Edhe tifozët prishtinas “Plisat” janë solidarizuar me Sokolin, duke thënë se kanë respekt të madh për të dhe se nuk kanë kurrfarë arsye ta sulmojnë atë, por edhe asnjë kundërshtar tjetër, qoftë ai futbollist ose trajner.

Gjithashtu tifozët e Llapit “Legjendat” kanë reaguar në rrjetet sociale, duke mohuar çfarëdo dyshimi se ata qëndrojnë prapa sulmit fizik ndaj trajnerit të skuadrës së tyre.

Kurse Policia e Kosovës ka thënë se është duke e hetuar rastin dhe se do të mundohet t’i gjejë autorët e këtij veprimi të jashtëligjshëm dhe më pas të dënohen ata. /Zëri/