Lazio llogarit në 'luftëtarin' Berisha

Sport October 04, 2018 - 13:42

Periudha e errët për Valon Berishën ka marrë fund. Futbollisti kosovar pritet të debutojë sonte në ndeshje zyrtare me Lazion, shkruan sot gazeta Zëri.

Ish-futbollisti i Red Bull Salzburgut kishte shkëlqyer sezonin e kaluar në Austri dhe në Europa League dhe për këtë “Biancocelesti” kishin vendosur ta transferonin përfundimisht në Romë.

Mesfushori kosovar ka hasur në vështirësi në fillim të eksperiencës italiane, por tash është i gatshëm të kthehet në fushën e blertë.

Ish-përfaqësuesi norvegjez pritet të luajë në ndeshjen e sotme të Europa Leagues ndaj Eintracht Frankfurtit, e cila do të zhvillohet në Gjermani dhe fillon në orën 21:00.

Rikthimi

Siç njofton e përditshmja sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”, planet për lojtarin ishin të tjera.

Por fillimisht lëndimi në përgatitje e një tërheqje muskulore në kofshën e majtë ia pamundësuan të qëndronte në një hap me shokët e skuadrës.

Ai ishte kthyer 10 ditë më parë, duke përfunduar në bankinë në ndeshje me Udinesen dhe më pas në derbin me Romën.

Ndërkaq tash Berisha është gati për të filluar gjithçka nga zeroja.

Madje mediet italiane mendojnë se është pikërisht përfaqësuesi kosovar ai i cili mund ta mbulojë atë që i mungon Lazios në mesfushë.

Pra, pritjes më në fund i ka ardhur fundi. Tifozët e Lazios do të mundë ta shohin Berishën për herë të parë në fanellën e ekipit të tyre të zemrës në “Commerzbank-Arena” të enjten mbrëma.

Trajneri Simone Inzaghi dhe drejtori sportiv Igli Tare i kanë vlerësuar lart kualitetet fizike dhe teknike të lojtarit dhe karakterin e tij, prandaj kanë vendosur ta sjellin atë në Itali.

Momenti i Berishës, gati për debutim

Berisha e kishte një histori të vështirë.

Prindërit e tij ishin larguar nga Kosova në fillim të viteve të ’90-ta, duke shkuar fillimisht si refugjatë në Suedi e më pas në Norvegji.

Tash Valoni është i gatshëm ta lërë prapa krahëve të kaluarën dhe të fillojë nga kompeticioni i tij Europa League, ku vjet kishte shkëlqyer.

Ai deri tash ka realizuar 6 gola nga 33 ndeshje. Lazio pret shumë nga numri 7, pasi në mesfushë nuk i ka punët mirë.

Berisha shihet si shpëtimtari i ekipit italian, i cili e konsideron lojtarin si “luftëtar” të mesit të fushës.

Lojtari nga ana e tij është i vendosur t’i shfaqë kualitetet e tij dhe ta shfrytëzojë sonte këtë rast të artë.

Rikthimit të Berishës sigurisht se do t’i gëzohet krejt Kosova, pasi ai pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Bernard Challandes për dy ndeshjet e Verdhekaltërve në Ligën e Kombeve ndaj Maltës dhe Ishujve Faro këtë muaj.

Shkaku i lëndimit Berisha kishte munguar në dy duelet e shtatorit kundër Azerbajxhanit dhe Ishujve Faro. /Zëri/