Ndombele, 'Kante i Ri'

Sport October 03, 2018 - 12:55
Detajet

Mesfushori i Lyonit, Tanguy Ndombele, është duke shkëlqyer në ligën franceze. Ai nuk e ka marrë vëmendjen e njëjtë gjatë verës sikur Memphis Depay, Mariano Diaz dhe Nabil Fekir, por Ndombele ka qenë ai që ka mundësuar shkëlqimin e bashkëlojtarëve të tij. Ai është duke e krijuar reputacionin si një lojtar që mund të arrijë shumë në futboll, ndërsa së shpejti pritet të ftohet edhe nga përfaqësuesja e Francës. Tashmë kanë filluar krahasimet mes tij dhe mesfushorit të Chelseat, N’Golo Kante, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Roli i mesfushorit defensivë mund të jetë mjaft i vështirë. Që të jesh i suksesshëm në këtë pozicion duhet të kesh një balancë mes energjisë, strategjisë, teknikës dhe disiplinës. Të gjitha këto aftësi kalojnë në një vëmendje të veçantë.

N’Golo Kante përfaqëson një shembull të përkryer. Marseille kishte refuzuar mundësinë që të nënshkruante me ish-futbollistin e Caenit në vetën e vitit 2015, duke konsideruar se ai ishte shumë i shtrenjtë, sidoqoftë së pari në Leicester City dhe tani në Chelsea ai është kthyer në njërin prej lojtarëve më të mirë të kësaj loje dhe njëri prej futbollistëve kyçë të Francës, që triumfoi në Kupën e Botës.

“Të kaltrit” janë të vetëdijshëm për vlerën e njërit prej futbollistit më të ndrojtur dhe më të nënvlerësuar. Paris Saint-Germaini provoi jashtëzakonisht shumë që ta transferonte mesfushorin e palodhur 27-vjeçar. Sidoqoftë ekipi nga “Stamford Bridge” nuk e lejoi largimin e tij dhe parisienët përpiluan një listë të zëvendësuesit të tij.

Mjaft lart në atë listë ishte mesfushori i Lyonit, Tanguy Ndombele, një lojtar i panjohur jashtë Francës, por i vlerësuar mjaft shumë dhe i krahasuar me Kanten.

Pas një paraqitjeje të mrekullueshme ndaj Manchester Cityt, derisa klubi francez e befasoi atë anglez në “Etihad” në Ligën e Kampionëve, për të pritjet vetëm sa u shtuan.

21-vjeçari është pjesë e Lyonit prej më shumë se një viti, ndërsa së pari me Amiensin, që e ndihmoi të promovohej në kategorinë e parë franceze. Ai e kaloi edicionin e kaluar si i huazuar te Lyonit, ndërsa gjatë verës ky transferim u bë i përhershëm, me një vlerë prej 8 milionë eurosh. Pak kohë më pas është raportuar se Lyoni ka refuzuar oferta prej 50 milionë eurosh nga Manchester City.

Memphis Depay, Mariano Diaz dhe Nabil Fekir mund të kenë tërhequr vëmendjen gjatë verës, por disa të tjerë e kanë vlerësuar mesfushorin e talentuar, që i ka ndihmuar ata yje që të shkëlqejnë.

“Ai është një mendimtar dhe inteligjent”, kishte thënë trajneri i Lyonit, Bruno Genesio, gjatë sezonit të kaluar. “Me topin, për ta shfrytëzuar sa më mirë, ai e merr vendimin para çdokujt tjetër për të bërë zgjedhjen e duhur. Pa top ai i sjell balancim ekipit. Kur Nabil Fekir është jashtë pozicionit, ai është aty, duke mundësuar balancën në mesfushë së bashku me Lucas Tousartin. Ai është interesant sepse është njëri prej atyre lojtarëve që është i aftë që t’i zgjidhë problemet taktike me lojën dhe me inteligjencën e tij”, kishte shtuar ai.

Philippe Lemaire, një ish-skaut i Guingampit, të cilit i kishte shpëtuar lojtari nga dora, ka folur shkurtimisht për lojtarin. “Ai është gjithçka në futboll. Ai është i fort dhe preciz. Ai e ndien lojën. Ai është i aftë që të krijojë diçka, t’i japë ritëm lojës, të kundërsulmojë, por gjithashtu të bëjë presion dhe të marrë përsëri posedimin e topit”, ka deklaruar Lemaire.

Leximi i tij i lojës ka bërë që ai më herët të luajë si mbrojtës i djathtë ose si sulmues i djathtë në Amines, ndërsa “pozicioni i zemrës së tij” sipas ish-bashkëlojtarit të tij Yoane Wissa ishte si numër dhjetë.

Sidoqoftë, lojtari është rehatuar në Lyon me rolin e mesfushorit të qendrës që ndihmon sulmin dhe mbrojtjen, kështu që krahasimi mes Ndombeles dhe Kantes nuk është edhe aq i drejtë.

Ai jo vetëm që është shumë më i gjatë dhe më atletik, por ai gjithashtu është në gjendje të mbajë topin dhe të bëjë një pasim sulmues, derisa gjithashtu është duke mbuluar përgjegjësitë e tjera.

Në të vërtetë është një ish-lojtar i Chelseat që presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, e krahason Ndombelen. “Ai më kujton Michael Essienin”, thotë Aulas.

Ndombele i sjell pak nga çdo gjë ekipit të tij ose thuajse gjithçka. “Ai është zhvilluar në ritmin e lojës së tij, duke marrë iniciativën me topin në këmbë. Sidoqoftë, ai duhet të përmirësohet në finalizimin e tij, që është elementi i vetëm i lojës që i mungon atij për t’u bërë një futbollist shumë i madh. Atij i mungon paksa përqendrimi në prekjen e fundit, por ai e ka teknikën e duhur. Ai duhet të shënojë gjashtë ose tetë gola në një edicion”, ka thënë trajneri.

Momentalisht Ndombele ka shënuar vetëm një gol nga 56 ndeshje. “Mendoj pak më shumë sesa duhet paragoditje”, ka thënë Ndombele, i cili e ka kompensuar këtë me katër asistime në tetë ndeshje kampionate këtë edicion. “Jam duke punuar për këtë gjë dhe që ta përmirësoj veten”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, kjo çështje nuk mund ta pengojë Didier Deschampsin që ta ftojë atë për herë të parë në kombëtaren e Francës të enjten për ndeshjet e ardhshme kundër Islandës dhe Gjermanisë.

Ai ka aftësi të ngjashme me Corentin Tolissos, i cili ka një lëndim serioz në gju e që ia ka hapur rrugën ish-bashkëlojtarit të tij që të debutojë në arenën ndërkombëtare. Aty ai do të ketë kontakt me Kanten si bashkëlojtar dhe përderisa profilet e tyre mund të mos jenë edhe aq të ngjashme në fushën, ata pa dyshim që ndajnë diçka të përbashkët.

“Më pëlqen të flas në fushë. Nuk ndihem rehat me mikrofonat dhe me kamerat. E di se është pjesë e punës, por mua nuk më pëlqen që të flas për veten”, ka thënë Ndombele.

Kante tashmë e ka treguar që rruga drejt suksesit nuk ka nevojë për një prezencë të madhe të medieve, që do t’i shërbejë mjaft mirë Ndombeles për ta kuptuar rolin e tij./Zëri