Ja cilat ndeshje do të zhvillohen sonte në Ligën e Kampionëve

Sport October 02, 2018 - 12:39
Detajet

Favoritët e Ligës së Kampionëve pritet të kenë takime të lehta në letër në xhiron e dytë të fazës së grupeve. Kampioni në fuqi Real Madridi do të udhëtojë drejt Rusisë për t’u përballur me CSKA Moskën, Bayern Munichu pret Ajaxin, kurse Juventusi luan para tifozëve ndaj Young Boysit. Ndërkohë, Manchester City do të kërkojë të këndellet ndaj Hoffenheimit pas asaj humbjeje befasuese në xhiron e parë nga Lyoni, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Disa prej favoritëve kryesorë të Ligës së Kampionëve pritet të kenë takime të lehta në ndeshjet e sotme të xhiros së dytë të fazës së grupeve.

Në grupin E Bayern Munichu do të presë Ajaxin në “Allianz Arena”. Gjigandi bavarez i hyn këtij takimi pas humbjes në fundjavë ndaj Hertha Berlinit, ndërkohë që Ajaxi triumfoi kundër Fortuna Sittardit. Të dyja klubet kanë arkëtuar pikët e plota në ndeshjet e tyre të para në kompeticionin më prestigjioz për klube, por në këtë takim më shumë favorizohen gjermanët, të cilët luajnë edhe në shtëpi dhe do të kërkojnë të harrojnë humbjen e fundjavës. Kingsley Coman, Rafinha dhe Corentin Tolisso do t’i mungojnë në këtë takim Niko Kovacit, ndërsa në dyshim është edhe paraqitja e Leon Goretzkas. Ndërkohë, në anën tjetër holandezët në këtë sfidë nuk mund të llogarisin në shërbimet e Vaclav Cernyt, Daley Sinkgravenit dhe të Joel Veltmanit. Në takimin tjetër të këtij grupi AEK-u i Athinës dhe Benfica do të luftojnë për të arkëtuar pikët e para në grup, shkruan "Zëri"

Në grupin F Manchester City do ta kërkojë këndelljen në udhëtim ndaj Hoffenheimit pas asaj humbjeje befasuese në shtëpi kundër Lyonit në xhiron e parë. Kevin De Bruyne, Claudio Bravo, Eliaquim Mangala dhe Benjamin Mendy do t’i mungojnë Pep Guardiolas në këtë sfidë, ndërkohë gjermanëve pritet t’u mungojnë Nadiem Amiri, Dennis Geiger, Benjamini Hubner dhe Lukas Rupp. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Lyoni do të kërkojë të vazhdojë me fitore ndaj Shakhtarit, që kishte barazuar në sfidën e parë ndaj Hoffenheimit.

Në grupin G kampioni aktual Real Madridi pritet të ketë një përballje të lehtë në letër në Rusi ndaj CSKA Moskës pavarësisht se në këtë sfidë pritet të jenë pa futbollistë si Gareth Bale, Isco, Marcelo dhe Sergi Ramos për shkak të lëndimeve. Në kampin e rusëve mungesat më të rëndësishme pritet të jenë ato të Viktor Vasinit dhe Abel Hernandezit. Në takimin tjetër të këtij grupi Roma do të kërkojë të arkëtojë tri pikët e para në grup ndaj Viktoria Plzen, shkruan "Zëri"

Në grupin H Juventusi edhe pse pa Cristiano Ronaldon e suspenduar shihet si favorit absolut ndaj Young Boysit. Sidoqoftë, italianëve në këtë ndeshje pritet t’i mungojë edhe anësori brazilian Douglas Costa., ndërkohë te zviceranët nuk pritet të ketë ndonjë mungesë të rëndësishme. Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Manchester Unitedit dhe Valencias pritet të jetë mjaft interesante me anglezët që kërkojnë fitoren e dytë dhe me spanjollët që kërkojnë pikët e para në grup për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin më tutje.

Liga e Kampionëve

E martë

Grupi E

21:00 AEK – Benfica

21:00 B. Munich – Ajax        

Grupi F

18:55 Hoffenheim – Man City

21:00 Lyon – Shakhtar          

Grupi G

21:00 CSKA M. – R. Madrid

21:00 Roma – V. Plzen

Grupi H

18:55 Juventus – Y. Boys

21:00 Man United – Valencia