Edhe ragbi në Kosovë

Sport October 01, 2018 - 10:39
Detajet

Ministri i Sportit Kujtim Gashi së bashku me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O’Connell kanë marrë pjesë në turneun e “Miniragbit”.

Me këtë rast ministri Gashi tha se, bashkë me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar po punojnë për ta promovuar një prej sporteve i cili i ka munguar Kosovës, pra sportin e ragbit, një sport jashtëzakonisht atraktiv dhe shtoi se MKRS-ja është e përkushtuar që në Kosovë të ketë sa më shumë lloje të sporteve dhe njëri prej tyre është edhe ai i ragbit.

“Sot jam këtu për të parë se si të rinjtë tanë janë të interesuar për këtë sport dhe bashkë me ambasadorin do të dakordohemi se kur do t’i fillojmë investimet për ndërtimin e ndonjë fushe për këtë lloj sporti, sepse besoj fuqishëm që do të ketë interesim të madh nga shumë të rinj tanë dhe veçanërisht nga nxënësit e shkollave fillore e të mesme dhe bashkërisht do ta promovojmë këtë sport në Republikën e Kosovës”, tha ministri Gashi.

Po ashtu ministri shtoi se Ministria e Sportit është pjesë e mbështetjes së këtij organizimi, bashkë me klubin që e ka iniciuar këtë aktivitet nga Peja dhe me Ambasadën e Britanisë në Kosovë, dhe së shpejti do ta licencojë Federatën e Ragbit e përmes asaj do t’i mbështesë klubet financiarisht ashtu siç është duke i mbështetur federatat tjera.

Ndërkaq ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se deri më tash e ka pasur mbështetjen maksimale prej Ministrisë së Sportit dhe prej Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Këta janë hapat e parë për një sport të ri në Kosovë, por ragbi nuk është për ata që iu mungon trimëria dhe në Kosovë nuk mungon trimëria, këtë e di shumë mirë”, ka thënë Connell.

“Më vjen shumë mirë që ka interesim kaq të madh për ragbin në Kosovë, ka kosovarë, shqiptarë po edhe serbë të Kosovës që luajnë jashtë vendit dhe shpresojmë që do ta popullarizojmë sportin e ragbit edhe në Kosovë”, ka përfunduar Connell.

Ragbi momentalisht nuk është i popullarizuar në Kosovë dhe pak njerëz i dinë rregullat e këtij sporti.

Por MKRS-ja po bën përpjekje për ta futur në lojë edhe këtë sport në vendin tonë. /Zëri/