Brenda normës olimpike

Sport October 01, 2018 - 10:36
Image

Kosova mori pjesë në olimpiadën e parë të saj me vetëm një normë olimpike, shkruan sot gazeta Zëri.

Ishte Majlinda Kelmendi ajo që e kishte siguruar kualifikimin në “Rio 2016”, ndërsa garuesit tjerë kishin marrë pjesë në evenimentin më të rëndësishëm botëror sportiv falë ftesave që i kishin marrë.

Mirëpo në olimpiadën e ardhshme, respektivisht në atë të 2020-s, vendi ynë pritet të sigurojë më shumë norma olimpike. Shpresat më të mëdha janë që ato të jenë nga xhudoja, por ka shpresë edhe te boksi ose te karateja.

Megjithatë, mundësitë reale i ka sporti më i suksesshëm në vend – xhudoja.

Këtë vit ka nisur numërimi i pikëve për normë olimpike dhe momentalisht janë plot katër xhudistë brenda normës olimpike, pa e llogaritur këtu kampionen olimpike Majlinda Kelmendin, e cila ia solli Kosovës medaljen e parë historike dhe atë të artë.

“Kualifikimi olimpik ‘Tokyo 2020’ filloi në qershor 2018 dhe do të vazhdojë deri në qershor 2020. Aktualisht janë brenda normës olimpike 4 garuesit tanë, ndërsa së shpejti garave do t’ju bashkëngjitet edhe kampionia olimpike Majlinda Kelmendi”, ka shkruar trajneri i suksesshëm Driton Kuka në “Facebook”.

Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova janë katër garuesit që momentalisht janë brenda normës olimpike falë pikëve të siguruara në evenimentet e fundit.

Xhudoja kosovare synon të prezantohet në olimpiadën “Tokyo 2020” me 4-5 garues me normë olimpike.

Ndërsa javë më parë presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i kishte thënë gazetës “Zëri” se në olimpiadën e ardhshme Kosova synon të prezantohet me 10-12 garues, ndërsa nuk e ka fshehur synimin për të fituar medalje, njëjtë si në Olimpiadën e Rios.

Natyrisht shpresat për medalje vijnë ekskluzivisht nga sporti i xhudos, pasi sportet tjera momentalisht janë larg mundësive reale për medalje olimpike. /Zëri/

Image