Orar i stërngjeshur për Prishtinën

Sport September 28, 2018 - 10:55
Detajet
Image

FC Prishtina po ballafaqohet me një orar të stërngjeshur. Bardhekaltrit do t’i zhvillojnë gjashtë ndeshje brenda 21 ditësh, që i bie çdo 3.5 ditë nga një lojë. Prishtinasit druajnë se ky orar mund t’u kushtojë me rezultate, pasi është mjaft i lodhshëm dhe ngarkesë e madhe për lojtarët. Kapiten Armend Dallku shpreson që ekipi i tij ta përballojë këtë. Edhe njohësi i futbollit, Genc Sermaxhaj, mendon se ky fenomen është i vështirë për ekipet, por shton se ato duhet të mësohen ta përballojnë atë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Liga e Kombeve është bërë problem i madh për klubet e Kosovës. Datat e shpeshta të lira të vendosura nga FIFA e kanë shtyrë Federatën e Futbollit të Kosovës ta ndryshojë orarin e ndeshjeve dhe ta bëjë detyrimisht orarin të stërngjeshur.

Për shembull, tri xhirot e ardhshme të Superligës, ajo e shtatë, e tetë dhe e nëntë do të zhvillohen në harkun e një jave. Pra, do të ketë futboll edhe në mesjavë.

Kjo pa dyshim se është një ngarkesë e madhe për futbollin kosovar, ku dorën në zemër futbollistët nuk e kanë përgatitjen fizike sikur në ligat më të forta evropiane dhe nuk mund ta përballojnë këtë ritëm, shkruan “Zëri”

Prishtina, 21 ditë – 6 ndeshje

Mirëpo ka edhe më keq. FC Prishtina është “viktima” më e madhe, pasi brenda tri javësh do t’i zhvillojë 6 ndeshje. Maratona e ndeshjeve të prishtinasve kishte nisur më 15 shtator, me ndeshjen me Ferizajn, ndërsa mesjavën pasuese, respektivisht më 19 shtator, e zhvilluan ndeshjen e mbetur të xhiros së parë ndaj Gjilanit. Pastaj Prishtina luajti me Dritën më 23 shtator. Ndërkaq tri ndeshje të tjera do t’i luajë brenda një jave. Më 30 shtator do të përballet me Flamurtarin në derbin e kryeqytetit, për të pasuar më pas me lojën me Lirinë më 3 tetor dhe me Llapin fundjavën e 6 tetorit. Nëse e përdorim matematikën, brenda 21 ditësh, (15 shtator – 6 tetor) trupa prishtinase do t’i zhvillojë 6 ndeshje. Kjo nënkupton se Bardhekaltrit do të luajë afërsisht çdo 3.5 ditë brenda kësaj periudhe.

Dallku: Është ngarkesë, por besoj se do t’ia dalim

Armend Dallku e pranon se prishtinasit i pret një orar i vështirë. Mirëpo kapiteni beson se ai me shokë do t’ia dalin mbanë me menaxhimin e duhur të ndeshjeve nga ana e shtabit teknik. “Është pak ngarkesë, pasi jemi i vetmi ekip në Kosovë që po luajmë aq shpesh, pasi e zhvilluam edhe ndeshjen e mbetur me Gjilanin, ndërsa tash na presin tri lojë brenda një jave. Mirëpo mendoj se i kemi përgatitjet e duhura për ta përballuar këtë orar. Është punë e shtabit teknik që ta menaxhojë situatën dhe besoj se mund t’ia dalim”, deklaroi fillimisht Dallku për “Zërin”. “Ne ndërkohë duhet ta kthejmë formën ideale, pasi përpara i kemi disa lojë vendimtare dhe nuk guxojmë të gabojmë. Kemi pasur vështirësi kohëve të fundit, por jam i sigurt se mund të dalim nga kjo situatë. Kemi lojtarë të mirë në ekip. Kampionati është i gjatë dhe ai nuk kryhet me 2-3 lojë”, vazhdoi mbrojtësi vushtrrias, i cili thotë se i ka rënë edhe në të kaluarën sa aktivizohej në Ukrainë të luante me një intensitet të tillë të ndeshjeve, shkruan “Zëri”

Sermaxhaj: Është e vështirë, por duhet përballuar ky orar

Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, e pranon se orari i ngjeshur për klubet kosovare, sidomos për Prishtinën, është i vështirë. Por, ish-futbollisti kosovar mendon se klubet e Superligës duhet të mësohen ta përballojnë një orar të tillë, pasi mund të hasin në të tillë edhe në të ardhmen. “Është e vështirë, por duhet t’u përballojmë këtyre ndeshjeve të ngjeshura, sepse futbollistët janë duke u paguar mirë dhe nuk janë si më parë. Prandaj, kushtet e tyre për t’i plotësuar kërkesat e tyre janë të mira”, theksoi trajneri i ri kosovar për gazetën. “Nuk mendoj se duhet të jetë ngarkesë për një ekip i cili është i përgatitur, që ka një staf profesional e gjithashtu edhe futbollistë profesionistë, të cilët së bashku dinë t’i menaxhojnë mirë ngarkesat që i kanë marrë dhe mund t’i marrin në ndeshjet vijuese. Në futbollin modern po shohim se çdo tri ditë ekipet zhvillojnë ndeshje zyrtare, prandaj edhe te ne kjo është e mirë, sepse po jemi të gjithë aktivë duke parë ndeshje të kampionatit tonë”, nënvizoi ai.

Për t’i përballuar këto ngarkesa Sermaxhaj i këshillon futbollistët të pushojnë mirë, të ushqehen mirë dhe të stërvitin mirë. Sipas tij, në Superligën e Kosovës ekipet kanë filluar të vetëdijesohen dhe të shkojnë rrugës së profesionalizmit./Zëri

Ndeshjet e FC Prishtinës

Prishtina – Ferizaj       (15 shtator)

Prishtina – Gjilani       (19 shtator)

Drita – Prishtina          (23 shtator)

Prishtina – Flamurtari  (30 shtator)

Liria – Prishtina           (3 tetor)

Prishtina – Llapi          (6 tetor)