Vështirë në Mitrovicë

Sport September 28, 2018 - 10:51
Detajet
Image

E premtja do të jetë një ditë shumë sfiduese për Trepçën ’89 dhe Ferizajn. Këto dy ekipe do të mundohen t’i japin fund pasigurisë që po i përcjell në këtë kampionat pikërisht në duelin që do ta zhvillojnë në mes vete në stadiumin “Riza Lushta”, në Mitrovicë, shkruan sot, gazeta "Zëri"

’89-shi e ka nisur kampionatin me ambicie për ta mëtuar titullin e kampionit. Kurse Ferizaj është kthyer nga Liga e Parë në Superligë me objektivin për t’u bërë konkurrues i denjë i ekipeve të tjera elitare.

Por, deri më tani të dyja këto ekipe kanë ngecur rrugëve që u kanë hyrë. Mitrovicasit pas gjashtë xhirove i kanë tubuar vetëm 6 pikë përmes një fitoreje e tri barazimeve dhe dy humbjeve. Mbeten tetë pikë larg kryesuesit Feronikelit.

Kurse ferizajasit janë në vendin e parafundit me vetëm katër pikë, dy larg ’89-shit, me vetëm një fitore e një barazim dhe katër humbje. Këto rezultate kanë bërë që trajnerit Afrim Tovërlani t’i fillojë së lëkunduri karrigia, kurse Gugash Magani ka marrë mbështetje të fortë të Kryesisë së klubit të tij përkundër rezultateve negative, të cilin besim trajneri nga Shqipëria duhet të fillojë ta arsyetojë me rezultate pozitive.

Në të kundërtën dështimi eventual përballë Ferizajt mund ta shtyjë Maganin të japë dorëheqje të parevokueshme.

Gjithsesi, përballja në mes tyre do të zhvillohet nën presionin që ua ka shkaktuar edhe xhiroja e fundit, kur ’89-shi barazoi si mysafir i Ballkanit dhe Ferizaj humbi në shtëpi nga Gjilani. Andaj, fitorja vlerësohet si tejet e nevojshme për të dy taborët.

Përballje shumë e fortë pritet të zhvillohet po të premten edhe në Skenderaj. Drenica do ta presë Ballkanin. Të dyja këto ekipe po tregojnë forcë në këtë kampionat, duke fituar respekt të madh. Të dyja skuadrat gjenden në mes të tabelës me një pikë dallim në mes vete. Drenica aktualisht i ka 9 pikë me dy fitore, tri barazime dhe një humbje. Kurse ekipi nga Suhareka i ka fituar tetë sosh, me dy fitore dhe dy barazime, kurse dy ndeshje të tjera i ka humbur tashmë. 

Ndërsa të shtunën do të luajnë dy kandidatët e mëdhenj për titull. Feronikeli konsiderohet favorit goxha i madh karshi Lirisë, e cila është në kërkim të formës stabile. Kurse Llapi konsiderohet favorit absolut përballë ekipit të fundit elitar, që ende nuk e ka shijuar as barazimin e lëre më fitoren, KEK-ut. 

Ndërkaq e diela është e rezervuar për dy derbit e mëdhenj lokalë. Gjilani dhe Kosova do t’i kenë sytë kah derbi më i madh i Kosovës, ai ndërmjet rivalëve të përbetuar nga i njëjti qytet, Gjilani – Drita. Kurse në mbrëmje në kryeqendër të Kosovës zhvillohet derbi i vjetër i kryeqytetit, Prishtinës dhe Flamurtarit, por kësaj here me një rivalitet të hatashëm, çfarë i ka munguar tash e disa vjet./Zëri

Superliga – Xhiroja e 7-të

E premte

15:30   Trepça ’89 – Ferizaj

15:30   Drenica – Ballkani

E shtunë

15:30   Feronikeli – Liria

15:30   Llapi – KEK-u

E diel

15:30   Gjilani – Drita

18:45   Prishtina – Flamurtari