Shkëndija: Përditësim për fazën e rikuperimit të Radeskit

Sport September 27, 2018 - 15:26

Sulmuesi i Shkëndijës, Marjan Radeski ndjen përmirësim të dukshëm dhe me optimizëm vazhdon fazën e rikuperimit në Kroaci.

Parashikimet janë që 23 vjeçari të kapë prej fillimi përgatitjet dimërore dhe i gatshëm 100% të presë gjysmësezonin pranveror.

Dy muaj e gjysmë pasi këputi ligementet, sulmuesi 23 vjeçar i Shkëndijës shikon me pozitivitet përpara pasi ka mbërritur në mes të fazës së riaftësimit pas lëndimit të rëndë të gjurit të këmbës së djathtë.

Ai ndjehet shumë më mirë për momentin dhe vazhdon me përkushtim të ndjekë instruksionet e mjekëve që kujdesen për rikuperimin e tij.

Marjan Radeski këputi ligamentet e kryqëzuara më 17 korrik në takimin e kthimit të xhiros së parë eliminatore të Champions League me The New Saints në Uells, që praktikisht e detyrojnë të humbasë gjithë gjysmëstinorin vjeshtor.

Pas ndërhyrjes së patjetërsueshme kirurgjikale sulmuesi kishte një muaj pauzë totale nga çdo aktivitet fizik, për të filluar më pas procesin e rehabilitimit fillimisht me lëvizje të lehta.

Tashmë dy javë ai qëndron në Daruvarske Toplice të Kroacisë, ku është duke zhvilluar fazën e radhës të rikuperimit.

Image

“Të them të drejtën ndjehem shumë mirë dhe jam duke punuar shumë fortë në këtë fazë. Vendim i duhur ishte të vija këtu në Kroaci ku kam plan pune shumë intensiv për çdo ditë. Për fat të mirë gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe mjekët e trajnerët habiten me intensitetin e përmirësimit të gjurit dhe muskujve”, shprehet Marjan Radeski, i cili do të qëndrojë në Daruvarske Toplice deri më 4 tetor para se të kthehet në Maqedoni për të vijuar fazën e radhës të rikuperimit.

“Ka dy javë që gjendem në Kroaci dhe për të kompletuar tre javët e nevojshme do të qëndroj deri më 4 tetor. Punoj kryesisht ushtrime force të këmbës së lënduar, pa anashkaluar edhe tjetrën në interes të mbajtjes së balancit. Së shpejti pritet të filloj edhe me vrapime të lehta, që ky lloj lëndimi lejon pasi të kalojnë tre muaj nga lëndimi. Javën e ardhshme kthehem në shtëpi, ku do të kem program tjetër për të vazhduar rikuperimin dhe sipas asaj që më thonë nga ekipi mjekësorë, pritet të jem i gatshëm për startin e përgatitjeve dimërore”, thotë Radeski.