Granit Xhaka flet për përballjen e vështirë me vëllain e tij, Taulantin

Sport September 26, 2018 - 13:11
Detajet

Granit Xhaka është kthyer të flasë për ballafaqimin ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë në kampionatin evropian “Franca 2016”, shkruan sot gazeta Zëri.

Mesfushori i Arsenalit, i cili luan për “Helvetikët”, e kishte përballë vëllain e tij të madh, Taulantin, i cili e përfaqësonte ekipin Kuqezi.

Vëllezërit kishin duele në mes tyre gjatë lojës dhe kjo e bënte më të vështirë punën për ta pasi nuk ishin mësuar të luanin kundër, derisa kishin luajtur së bashku në Basel vite më parë.

“Mendoj se kjo ishte ndeshja më e vështirë në jetën time. Jo vetëm për mua, por për familjen time, sepse ta kisha vëllain tim në anën tjetër dhe të luaja kundër tij, në situatë të njëjtë dhe në pozitë të njëjtë... Ishte e vështirë pasi duhet ta shtynim ose ta rrëzonim njëri-tjetrin, duhej që t’ia heqësh topin nga këmbët”, ka thënë fillimisht Graniti për “Arsenal Media”. /Zëri/

Sidoqoftë, pas lojës ai u përqafua me Taulantin dhe gjithçka i është kthyer normalitetit. “Ishte e vështirë, por ne jemi profesionistë. Ishte një ndjenjë e mirë pas lojës”, vazhdoi ish-futbollisti i Baselit dhe Borussia Monchengladbachut.

I lumtur për trofeun e parë me Arsenalin

Granit Xhaka e kishte fituar trofeun e parë me Arsenalin vitin e kaluar. Ai kishte triumfuar në FA Cup në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Wembley” dhe ky trofe për të është special, pasi u fitua në një stadium special.

“E fitova trofeun e parë me Arsenalin së bashku me bashkëshorten time. Ishte ndjenjë mjaft e mirë, diçka speciale. Ishte një natë e madhe për të gjithë, për tifozët e Arsenalit, për klubin, për familjen time dhe për mua natyrisht”, thotë tutje futbollisti prishtinas.

“Ishte speciale sepse e zhvillova ndeshjen e parë profesionale me ekipin kombëtar në ‘Wembley’. Kështu që ta fitoja trofeun e parë në ‘Wembley’ ishte diçka speciale. Gjithmonë do të jetë në mendjen time”, ka përfunduar Xhaka.