Mbappe, pasardhësi i Messit dhe i Ronaldos

Sport September 26, 2018 - 12:12
Detajet

Luka Modric mund të jetë ai që i ka dhënë fund dominimit të Cristiano Ronaldos dhe të Lionel Messit gjatë dekadës së fundit, por Kylian Mbappe është pasardhësi i portugezit dhe i argjentinasit. Kështu mendon ish-futbollisti francez David Trezeguet. Francezi thotë se ylli i Paris Saint-Germainit është e tashmja dhe e ardhmja e futbollit, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Ishte Luka Modric ai që e përfundoi dominimin e Cristiano Ronaldos dhe të Lionel Messit në çmimet e FIFA-s, por ish-sulmuesi francez David Trezeguet mendon se Kylian Mbappe është e ardhmja e futbollit.  

Mbappe u zgjodh në formacionin më të mirë të këtij viti nga FIFA pas triumfit të tij në Botëror me Francën, ndërsa ylli i Paris Saint-Germainit gjithashtu fitoi edhe çmimin si “Futbollisti më i Mirë i Ri i Vitit 2018”.

Fitorja e Luka Modricit të hënën bëri që të mbyllet kështu dominimi 10-vjeçar i Lionel Messit dhe i Cristiano Ronaldos në çmimet individuale që dhurohen nga shtëpia më e madhe e futbollit në botë. 

Por Trezeguet, i cili njihet për atë golin e famshëm në finalen e Kampionatit Evropian të vitit 2000 ndaj Italisë, që ia fitoi Francës këtë kompeticion, beson se e ardhmja i përket Mbappes.

“Mbappe është një lojtar që i ka treguar kualitetet e tij me klubin dhe me ekipin kombëtar”, ka deklaruar Trezeguet. “Mendoj se ai është edhe e tashmja, por mbi të gjitha ai është e ardhmja. Ai është e ardhmja e futbollit. Ai është pasardhësi i Cristiano Ronaldos, pasardhësi i Messit. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”, u shpreh ish-futbollisti francez.

Trajneri i ri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, është një tifoz i madh i sulmuesit të ri, por beson se Mbappe duhet të trajtohet me kujdes në mënyrë që të arrijë në maje. “E kam dëgjuar dikë duke folur për Andres Iniestan në Barcelonë. Ishte drejtori i akademisë, i cili po fliste për të dhe tha, ‘Kini kujdes se si zhvillohet’”, deklaroi Tuchel. “E njëjta gjë vlen edhe për Mbappen. Duhet të jini të butë me të, duhet të jeni të kujdesshëm që atij të mos i rritet mendja, që ai ta zhvillojë nivelin taktik dhe të bëhet i vetëdijshëm për rëndësinë e punës ditore në stërvitje, por gjithashtu në profesionalizmin e tij ditor në mënyrë që të arrijë sa më shumë gola. Kjo do të jetë vendimtare, besoj. Ka të bëjë me detajet”, kishte shtuar strategu gjerman.

Mbappe ka realizuar katër gola dhe një asistim deri më tani në ligën franceze, pavarësisht se ka luajtur vetëm 3 ndeshje. Një karton i kuq ndaj Nimes bëri që ai të suspendohet dhe ai mungoi në fitoret e parisienëve ndaj Saint-Etieenet dhe Rennesit./Zëri