‘Skifterat’ iu përgjigjen ‘Intelektualëve’: Jeni minoritet i qytetit, shikojeni origjinën e vërtetë të klubit tuaj

Sport September 25, 2018 - 16:47
Detajet

Pas postimit të “Intelektualëve”, nuk ka vonuar shumë dhe ka pasuar reagimi i “Skifterave”, të cilët kundërshtarin e së dielës në derbin Drita – Gjilani kanë konsideruar si minoritet të qytetit, ndërkohë që e kanë postuar një video, ku shihet një i moshuar i cili flet për origjinën e klubit të Dritës dhe dëgjohet duke thënë se për ta formuar këtë klub janë marrë disa romë dhe serbë në atë kohë, shkruan Zeri.info.

“Minoriteti i qytetit me qëllim për t’i vetëkënaqur anëtarët e vet pas disfatës së rëndë nga rivalët e tyre ‘Plisat’, të cilët defiluan qetë në qytetin ‘me viza’ në thirrjen e derbit të qytetit, paska ushqyer me një mal gënjeshtrash tifozët e vet, rrjedhimisht duke na krahasuar me një ekip serb. Këtë retorikë të turpshme jemi mësuar ta dëgjojmë nga ta gjithmonë kur janë të shembur dhe kanë nevojë për t’u ngritur”, kanë shkruar tifozët e Gjilanit në “Facebook”.

“Ia bëjmë me dije tifogrupit tashmë të shuar në ndeshjen kundër KF KEK-ut nga qytetarët e Obiliqit t’i njoftojnë anëtarët e vet me parimet themelore të ekzistencës së një tifogrupi ultras dhe pastaj t’i thërrasin veteranët e tyre për t’ia shpjeguar origjinën e vërtetë të klubit të tyre, sepse nuk na takon të mbajmë ligjërata historie për ta, siç shihet edhe në video. Tendenca për t’u nivelizuar me ekipe evropiane është e kotë me vetë faktin se kemi harruar kur jemi mposhtur nga ekipi i tyre. Shfrytëzojmë rastin përmes këtij postimi të njoftojmë se ndeshja derbi e së dielës zhvillohet në orën 15:30!”, kanë përfunduar “Skifterat”. /Zëri/