Championsi i Futsallit në Kosovë, e organizon Feniksi

Sport September 25, 2018 - 10:44
UEFA ia ka besuar Kosovës për herë të parë organizimin e një evenimenti. Vendi ynë do të jetë mikpritës i fazës “Main Round” të Ligës së Kampionëve të Futsallit. Feniksi do të jetë mikpritës i tri skuadrave të tjera, Sporting Club, LSM Lida e Kairat Almaty, në kërkim të një vendi në mesin e 16 më të mirëve në këtë kompeticion. Kampioni i Kosovës zotohet se do ta bëjë organizimin për t’ia pasur lakmi, derisa beson fuqishëm se do ta kalojë edhe këtë fazë
Image

Kosova do të jetë arenë e fazës “Main Round” të Ligës së Kampionëve të Futsallit, shkruan sot gazeta Zëri.

Kampioni aktual i Kosovës, Feniks, e ka fituar të drejtën e organizimit të kësaj faze, ndërsa do t’i presë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë ekipet e njohura evropiane, si Sporting Club, LSM Lida e Kairat Almaty në kuadër të rrethit të dytë kualifikues.

Klubi nga Drenasi ndihet krenar që iu besua organizimi i një turneu të tillë të rëndësishëm, ndërsa është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për këtë garë, më e rëndësishmja që ia beson UEFA vendit tonë.

“Muaj më parë e kemi shikuar mundësinë që ta organizojmë një turne të tillë, ndërsa kërkesa jonë ka qenë rundi i parë ose i dytë. Dhe, pasi jemi në mesin e 20 ekipeve më të mira na është besuar organizimi i ‘Main Round’, pra rundit të dytë. Kanë ardhur zyrtarët e UEFA-s dhe i kanë shikuar sallat, hotelet dhe detajet e tjera, pastaj e kemi fituar të drejtën e organizimit”, tregon fillimisht për “Zërin” drejtori organizativ i turneut, Arianit Krasniqi.

“Organizimi ka nisur në momentin që e kemi kuptuar se e kemi fituar të drejtën e organizimit të këtij turneu. Gjatë gjithë kohës i jemi përmbajtur rregullores dhe protokollit, në mënyrë që në fund të gjitha palët të ndahen të kënaqura”, shtoi zyrtari i Feniksit.

Sipas tij, kampioni i Kosovës është në fazën e fundit të punimeve rreth organizimit, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe disa detaje të kryhen deri në fillimin e “Main Round” të Championsit në Futsall.

Pa dyshim, për klubin nga Drenasi kjo është një përgjegjësi e madhe.

Prandaj ky klub po mundohet ta bëjë organizimin sa më të mirë, në mënyrë që t’ua hapë rrugën edhe klubeve të tjera në të ardhmen ta fitojnë të drejtën e organizimeve të tilla.

Image

“Duke e marrë parasysh që është hera e parë, po mundohemi ta bëjmë punën tonë sa më mirë dhe të marrim nota pozitive. Është ndryshe ta presësh një ekip e ndryshe tri. Kjo është sikur në futboll ta presësh një klub si Real Madridi, Manchesteri ose Bayerni. Ka shumë detaje, shumë kërkesa. Ky është një lloj mësimi për ne, të dimë se çka kërkohet për të ardhmen. Është një sfidë të cilën si klub dhe si staf organizator, duke përfshirë këtu edhe Federatën e Futbollit, ta kalojmë bashkërisht”, shprehet Krasniqi.

Feniksi e ka mbyllur çështjen e sallës, të hoteleve, të sponsorëve, të transmetimit direkt, të biletave etj.

Siç njoftojnë drejtuesit e këtij klubi, një biletë do të kushtojë 4 euro, ndërsa me këtë biletë mund t’i shikoni dy ndeshje që zhvillohen brenda ditës.

Image

Besojnë në kualifikim

Feniksi do të marrë pjesë në Grupin 4, që është mjaft i vështirë për t’u kaluar, pasi ka përballë ekipe tmerrësisht të fuqishme, duke përfshirë këtu edhe nënkampionin evropian, Sporting Lisbona.

Sidoqoftë, me përforcimet që i kanë bërë dhe me përkrahjen e tifozëve kampionët e Kosovës besojnë se do ta presin biletën për të hyrë në mesin e 16 më të mirëve të këtij kompeticioni prestigjioz.

“Duke e parë renditjen e ekipeve, njëri numër 1 në Evropë e të tjerët në vendin e 5-të e të 11-të, kurse ne në të 19-in, është një grup ekstremisht i vështirë. Por, ne kemi marrë lojtarë nga Brazili, nga Maqedonia, por e kemi edhe brumin vendor, prandaj besojmë se do të kalojmë më tutje. Përpara shkojnë tri ekipe nga katër dhe ne besojmë se do të shkojmë në mesin e 16 më të mirëve, siç patëm arritur edhe në pjesëmarrjen tonë debutuese”, përfundoi Krasniqi.

Feniksi është klubi më stabil i viteve të fundit në futsallin kosovar.

Kryetari i klubit, Faik Fazliu, me bashkëpunëtorë janë më meritorët për këtë arritje të klubit nga Drenasi. /Zëri/

UEFA Futsall Champions League

“Main Round Prishtinë 2018”

3 tetor (E mërkurë)

18:00 Sporting Club – LSM Lida

20:30 Feniks – Kairat Almaty

4 tetor (E enjte)

18:00 Kairat Almaty – Sporting Club

20:30 Feniks – LSM Lida

6 tetor (E shtunë)

18:00 LSM Lida – Kairat Almaty

20:30 Sporting Club – Feniks

Image